AKTUALITETKRYESOREKULTURË

Dy të pandehur fierakë në gjyq për trafikim veprash arti dhe pasurie kulturore

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka marrë të pandehur dhe ka dërguar për gjykim shtetasit P.P. dhe Sh.K., të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, parashikuar nga neni 138/a, pika 2 e Kodit Penal.

Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 1926 të vitit 2023. Sipas Prokurorisë, nëpërmjet metodave speciale të hetimit, është provuar se më datë 18 dhjetor 2023, i pandehuri P.P. ka kryer të gjitha veprimet për tregtimin e objekteve me vlerë të trashëgimisë kulturore, në drejtim të agjentëve nën mbulim, pa pasur licencën e kërkuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në kundërshtim me nenin 116 të ligjit nr. 27/2018, i ndryshuar.

Në këtë veprimtari të paligjshme, P.P. është ndihmuar nga shtetasi Sh.K.. Gjatë hetimeve, autoriteteve u janë vënë në dispozicion dhe janë sekuestruar pasuri kulturore materiale të luajtshme, konkretisht:
• Pushkë/revole, e shek. XVIII–XIX, e zbukuruar me motive floreale;
• Ikonë “Lindja e Krishtit”, që i përket fazës përmbyllëse të pikturës pasbizantine;
• Portret “Eros”, skulpturë mermeri e bardhë që paraqet kokën e një fëmije;
• Epitaf “Vajtimi i mbivarrshëm”, i realizuar me tekstil dhe metal, ku figurat e shenjtorëve janë të qëndisura me përpunim të hollësishëm.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Fierit ka shpallur fajtorë të dy të pandehurit për akuzat e ngritura ndaj tyre.

Prokuroria shpreh angazhimin e saj për të vijuar me vendosmëri hetimet ndaj çdo individi apo grupi që cënon pasurinë kulturore dhe trashëgiminë kombëtare, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave historike dhe artistike të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button

This will close in 0 seconds