KRYESOREPOLITIKË

Rasti Fatmir Velaj: Një “minë me sahat” diplomatike mes Tiranës dhe Vjenës

Emërimi i Fatmir Velajt si ambasador i Shqipërisë në Vjenë në vitin 2023 po merr trajtat e një krize diplomatike dhe politike mes dy vendeve. Në një raportim tw Fob.at raportohet me detaje rasti që vjen nga Shqipëria dhe që po shkakton një furtunë politike në Ministrinë e Jashtme të Austrisë, që tani drejtohet nga Beate Meinl-Reisinger (NEOS). Rasti “Velaj” ka filluar të marrë përmasa politike serioze dhe po vë në pozitë të vështirë qeverinë e re federale të Austrisë.

Shkrimi i Fob.at zbulon se në korrik 2023, Republika e Shqipërisë propozoi zyrtarisht Fatmir Velajn si pasuesin e ambasadorit Roland Bimo në Vjenë. Por në vitin 2024, emërimi i tij u vu për herë të parë në diskutim në një interpelancë parlamentare nga Helmut Brandstätter, deputet i atëhershëm i NEOS. Në këtë interpelancë ngrihen 14 pyetje të detajuara që hedhin dyshime mbi përshtatshmërinë e Velajt për këtë post – duke përfshirë moskompatibilitetin ligjor, mungesën e kualifikimeve dhe ndikimet politike.

Brandstätter pyeti qartë:

“A është e vërtetë që kandidati i propozuar ka pasur aktivitet tregtar në Austri? A përbën kjo arsye për përjashtim nga akreditimi?”

Gjithashtu, ai kërkon sqarime nëse Velaj ka pasur shtetësi të dyfishtë shqiptaro-austriake në momentin e propozimit dhe nëse ai e ka hequr dorë nga shtetësia austriake:

“A është e njohur nëse kandidati ka hequr dorë nga shtetësia austriake ose nëse do të heqë dorë në rast se emërohet?”

Një pjesë veçanërisht delikate e interpelancës lidhet me dyshimet për ndërhyrje politike në emërimin e Velajt. Emri që përmendet drejtpërdrejt është ai i Karoline Edtstadler, ministre e atëhershme për Çështjet Evropiane dhe Kushtetuese:

“A është e vërtetë që Karoline Edtstadler ka qenë e përfshirë në këtë emërim?”

Po ashtu, vihen në shënjestër dhe vetë strukturat e Ministrisë së Jashtme Austriake: A ka kërkuar kjo ministri zëvendësimin e kandidatit shqiptar përmes një note verbale që në korrik 2023? Nëse po, pse nuk është respektuar kjo kërkesë nga Tirana?

“Cilat departamente ose individë brenda Ministrisë së Jashtme kanë marrë vendimin për akreditimin?”

“Kur dhe në çfarë mase është përfshirë ministri i atëhershëm, Alexander Schallenberg?”

Nga azilant në ambasador

Biografia e Velajt duket si një histori e suksesshme: një ish-azilant nga kampi i Traiskirchen-it, i dekoruar me Urdhrin e Meritës së Artë të Republikës së Austrisë dhe me titullin “Profesor”. Sipas një certifikate të datës 13 dhjetor 2019, ai u vlerësua si “piktor, fotograf, shkrimtar, publicist, menaxher kulturor dhe kurator ekspozitash”.

Përgjigjja zyrtare e Ministrisë së Jashtme austriake, e firmosur nga ministri Alexander Schallenberg më 24 korrik 2024, konfirmon disa nga akuzat kryesore.

Në kërkesën për agrément (akreditim) që ambasada shqiptare bëri më 27 korrik 2023, Ministria e Jashtme austriake konstatoi se kandidati mbante në atë kohë shtetësi të dyfishtë shqiptare dhe austriake dhe kishte pasur aktivitet tregtar në Austri – të dyja këto bien ndesh me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, raporton Fob.at

Pas disa muajsh kërkesa për sqarime, vetëm më 19 mars 2024 ambasada shqiptare njoftoi se Velaj kishte hequr dorë nga shtetësia austriake, duke i hapur rrugë formalisht akreditimit të tij. Më 3 prill 2024, presidenti federal i dha zyrtarisht miratimin (agrément), dhe më 26 qershor 2024, Velaj dorëzoi kredencialet diplomatike.

Qeveria në presion

Tani presioni është mbi ministren aktuale të Jashtme, Beate Meinl-Reisinger. Sipas dokumenteve të brendshme të ministrisë, Fatmir Velaj thuhet se ka ndërhyrë personalisht disa herë pranë ministrisë për çështjen e akreditimit. Pyetja kyçe është: A ka pasur ndërhyrje të papërshtatshme politike në këtë proces? Nëse po, largimi i saj nga posti do të bëhej pothuajse i pashmangshëm.

Kjo do të kishte pasoja edhe në marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë dhe do të vinte në pikëpyetje standardet e politikës së jashtme të Austrisë.

Nevojë për transparencë

Interpelanca parlamentare e ka vënë gishtin mbi një plagë të hapur: Pse Ministria e Jashtme austriake hezitoi për muaj të tërë të pranonte ose refuzonte emërimin e Velajt? Pse nuk u kërkua një kandidat tjetër nga Shqipëria kur kishte dyshime të qarta?

Dhe mos harrojmë: Shqipëria është vetë nën presion – vetëm muajin e kaluar, SPAK arrestoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje në rastin Velaj. Por një gjë është e qartë: nëse provohet se një kandidat i papërshtatshëm është bërë ambasador përmes ndërhyrjeve politike, atëherë ky rrezikon të kthehet në një skandal diplomatik me përmasa serioze. Dhe një gjë tjetër është po aq e qartë: kjo çështje nuk mund të mbyllet me një buzëqeshje diplomatike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button