Trajneri Edi Reja u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në pjesën e parë, por i zhgënjyer me të dytën. Strategu italian shpjegoi zëvendësimet që bëri, ndërkohë që evidentoi dhe mungesën e finalizimit të rasteve për shënim.
Në pjesën e parë u duk se ishte një mbrëmje ku do të fitonim, por çfarë ndodhi në 45-minutëshin e dytë?
Në pjesën e parë bëmë një ndeshje të mirë dhe ia dolëm të kalojmë edhe në avantazh, por në fillim të pjesës së dytë dhuruam golin e barazimit dhe komplikuam gjithçka. U barazuam për 4 minuta dhe nuk bëmë asgjë nga ato që duhej të bënim. Më pas u mbyllëm, ndërkohë që mund të sulmonim më shumë. Më vjen keq, por në pjesën e dytë patëm një rënie dhe nuk ishte e lehtë të shkonim sërish te goli.
Mos do të ishte më mirë që në vend të Veselit, të aktivizonit Roshin në minutat e fundit?
Roshi nuk ishte mirë, pasi për shumë ditë nuk u stërvit me grupin. Kishte temperaturë dhe nuk ishte në gjendje për të luajtur, ndaj nuk mund të rrezikoja.
Në gjysmën e pjesës së dytë a mund të ndryshonim diçka, për të aktivizuar një lojtar si Bajrami, që ka më shumë fantazi?
Nuk është çështje skeme, por unë bëra dy zëvendësime në sulm, pasi të gjithë dyluftimet po i fitonin islandezët. Për pjesën tjetër, manovra ishte e organizuar shumë mirë, pasi ishim shumë herë pranë zonës dhe zbritëm shpesh me Hysajn. Megjithatë nuk bëmë dot një gjuajtje, ndonëse shkuam shumë shpesh në zonën kundërshtare. Më vjen keq, megjithatë duhet të shohim përpara, pasi kemi një ndeshje me Izraelin, ku do të kërkojmë të marrim fitoren, pasi kemi objektivat tona në këtë kompeticion.
Mos ndoshta gabimi në mbrojtje shkaktoi pasiguri në skuadër?
Fakti që pësuam gola për 4 minuta nga nisja e pjesës së dytë, ishte fatkeqësia jonë. Duhej ta mbanim avantazhin të paktën për 15 minuta, që t’u shkaktonim tension dhe t’i detyronim të hapeshin. Janë gabime të pafalshme, që duhet t’i shmangim. Pas barazimit, ata dolën në lojën që donin të bënin, pasi janë shumë të fortë fizikisht dhe në kundërsulm bëhen të rrezikshëm.