Rrjedhja e gazit, humb jetën familja katër antarëshe në Itali

Itali – Personat në foto janë Arti Kola, 48 vjeç, (kryefamiljar) bashkëshortja e tij Jonida Kola, 42 vjeçe, dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar Kola, 23 vjeç, dhe Xhesika Kola, 15 vjeçe. Katër anëtarët e familjes shqiptare humbën jetën mbrëmjen e kaluar në qytetin e Lucca-s, në Itali, si pasojë e asfiksimit nga gazi brenda banesës së tyre, në një ngjarje që ka tronditur komunitetin shqiptar dhe opinionin publik.
Sipas mediave italiane, familja sapo kishte shtruar darkën kur dyshohet se një sasi gazi ka rrjedhur nga kaldaja e ngrohjes, duke shkaktuar helmimin fatal. Alarmin e ka dhënë vëllai i Arti Kolës, i cili pasi nuk mori përgjigje pas disa trokitjesh në derë, njoftoi karabinierët. Ata hynë me forcë në banesën trekatëshe dhe u përballën me skenën dramatike, ku katër trupat e pajetë ndodheshin përtokë. Si pasojë e ekspozimit ndaj gazit, edhe xhaxhai i fëmijëve humbi ndjenjat dhe u transportua me urgjencë në spital.
Mësohet se Arti Kola punonte në një fabrikë, bashkëshortja e tij ishte shtëpiake, ndërsa djali i madh ishte elektricist dhe vajza studente. Banesa ishte blerë rreth tre vite më parë dhe ishte restauruar pjesërisht nga vetë kryefamiljari. Prokuroria italiane ka urdhëruar sekuestrimin e shtëpisë, ndërsa autoritetet, në bashkëpunim me zjarrfikësit, po hetojnë nëse kaldaja ishte e regjistruar, e instaluar sipas rregullave dhe e kontrolluar në mënyrë periodike.








