AKTUALITETTOP-NEWS

Rrugë e harruar prej mbi 40 vitesh në lagjen “15 Tetori”: Banorët në baltë, premtimet në ajër

Fier – Prej më shumë se 40 vitesh, një segment rrugor në një pjesë të lagjes “15 Tetori” në qytet mbetet pa asnjë investim nga institucionet vendore, duke vënë në vështirësi rreth 50 familje që jetojnë në këtë zonë.

Gjendja e rrugës është tejet problematike. E mbushur me gropa dhe e pashtruar, ajo kthehet në një burim pluhuri gjatë verës, ndërsa në stinën e reshjeve shndërrohet në baltë dhe pellgje uji, duke e bërë pothuajse të pakalueshme për banorët.

Më të prekurit janë të moshuarit dhe familjet me fëmijë, të cilët e kanë të vështirë të kalojnë çdo ditë për të shkuar në shkollë apo për të kryer nevojat bazë. Banorët detyrohen të përdorin rrugë alternative, më të gjata dhe po aq problematike, për të shkuar drejt qendrës së qytetit, institucioneve shtetërore apo për të paguar faturat mujore.

Sipas tyre, ankesat në Bashkinë e qytetit kanë qenë të vazhdueshme ndër vite, por pa asnjë reagim konkret. “Askush nuk ka ardhur as për ta parë nga afër situatën, e jo më për të dhënë zgjidhje”, shprehen banorët.

Ata theksojnë se vetëm në prag fushatash zgjedhore, si për kryetar bashkie apo deputetë, përfaqësuesit politikë shfaqen në zonë, shohin rrugën dhe premtojnë ndërhyrje të menjëhershme. Premtime që, sipas banorëve, nuk janë mbajtur kurrë.

“Kanë kaluar 6 vite dhe gjithçka ka mbetur njësoj. Vetëm fjalë dhe asnjë punë konkrete”, thonë ata, duke kërkuar që kjo pjesë e lagjes “15 Tetori” të mos mbetet më e izoluar dhe e harruar nga institucionet./ALB365/ Xhemil Beharaj/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button