Wednesday, October 9, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETSamiti i BE, rrugët që do të bllokohen në Tiranë 

Samiti i BE, rrugët që do të bllokohen në Tiranë 

Policia e Shtetit zbardhi planin e masave në kuadër të Samitit Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet në Tiranë, më 6 dhjetor. Lidhur me mbarëvajtjen e këtij samiti, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash.

Përmes një deklarate për mediat, drejtorit të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, drejtuesi i Lartë Rebani Jaupi, ka bërë të ditur me detaje planin e masave të ndërmarra nga ana e policisë, ku përfshihet edhe bllokimi i një disa rrugëve në kryeqytet.


Kujtojmë se në 6 dhjetor, pra në po të njëjtën ditë me Samitin, do të mbahet edhe protesta e opozitës, e cila është paralajmëruar të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të cilin policia thotë se atë ditë do të jetë i bllokuar.

Njoftimi i Policisë

Fjala e Drejtorit të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, për masat e marra nga Policia e Shtetit, për garantimin e rendit publik, gjatë zhvillimit të Samitit Bashkimi Europian – Për Ballkani Perëndimor

***

Së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Rendit dhe Drejtorin e Drejtorisë së Policisë Rrugore jemi këtu, për të bërë prezente masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit publik, gjatë zhvillimit të Samitit Bashkimi Europian – Për Ballkanin Perëndimor.

Zhvillimi i Samitit të Bashkimit Europian, në Tiranë, më 6 dhjetor, shënjon një event tejet të rëndësishëm për prespektivën europiane të Shqipërisë. Lëvizja e qytetarëve të Tiranës, më 6 dhjetor, do të impaktohet drejtpërdrejt nga ky aktivitet me përmasa ndërkombëtare.

Nisur nga rëndësia insituticionale dhe nga impakti publik që ka ky event, Policia e Shtetit është e angazhuar në maksimumin e kapaciteteve të saj njerëzore dhe logjistike, për mbarëvajtjen e tij.

Samiti i Bashkimit Europian përbën për qytetarët e Republikës së Shqipërisë në tërësi, dhe për strukturat e Policisë së Shtetit në veçanti, një mundësi të artë, për të dëshmuar kontributin e gjithsecilit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, për të rivënë në pah, standardet e larta të sigurisë që përmbush vendi ynë, si dhe për të ndikuar drejtpërdrejt, tejet pozitivisht, në imazhin ndërkombëtar të vendit tonë.

Përmes sjelljes dhe qëndrimeve tona institucionale dhe qytetare, gjatë procesit të zhvillimit të këtij Samiti, ne kemi shansin që të dëshmojmë vlerat tona historike, si mikëpritja, mirëkuptimi dhe maturia, si dhe prespektivën europiane që kemi treguar ndër shekuj, dhe të cilën kemi rastin ta shpalosim më 6 dhjetor, gjatë zhvillimit të Samitit të Bashkimit Europian, në Tiranë.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit të Bashkimit Europian – Për Ballkanin Përëndimor, që do të zhvillohet në Tiranë, me datë 6 dhjetor 2022.

Në zbatim të detyrave ligjore, si duke shfrytëzuar përvojën pozitive të fituar gjatë planifikimit, organizimit dhe menaxhimit të situatës së rendit dhe sigurisë publike, gjatë zhvillimit të aktiviteteve ndërkombëtare, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, rrugëkalimet e delegacioneve, ambientin ku do të zhvillohet ky samit, si dhe për garantimin e rendit publik në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë territorin e vendit.

Paraprakisht, theksoj faktin se Policia e Shtetit, për hartimin e Planit të Masave dhe për vendosjen e perimetrit të sigurisë për Samitin Bashkimi Europian – Ballkani Përëndimor, ka bashkëpunuar edhe me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE, me qëllim zbatimin e standardeve më të larta të sigurisë, gjatë zhvillimit të aktiviteteve të këtyre përmasave.

Gjithashtu, për të garantuar sigurinë e këtij aktiviteti, po bashkëpunohet me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vënd, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkembimin në kohë të informacioneve.

Po kështu, po bashkëpunohet me Bashkinë e Tiranës, Autoritetet e Aeroportit të Rinasit, Autoritetet e Kontrollit të Aviacionit të Tiranës, Policinë Bashkiake të Tiranës, Shërbimin Zjarrëfikës dhe Qendrat Spitalore të Tiranës, për mbarëvajtjen e tij.

Për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;

Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;

Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.

Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.

Në këto akse rrugore do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm levizja e qytetarëve që janë banorë, brenda perimetrit të sigurisë.

Theksojmë se kufizimet e mësipërme përbëjnë perimetrin e sigurisë së Samitit dhe për këtë kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, për të respektuar kërkesat dhe procedurat ligjore, të normuara nga Policia e Shtetit.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor;

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti” deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht:

Garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit.

Organizimin e shërbimeve policore për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit.

Sigurimin e delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë.

Eskortimin e delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hani i Hotit, Shkodër.

Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës.

Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Gjithashtu, për të mos krijuar pengesa në mbarëvajtjen e institucioneve që janë brenda perimetrit të sigurisë të këtij Samiti, si dhe të banorëve rezidëntë në perimetrin e sigurisë, sqarojmë se:

– Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Germenji”;

– Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;

– Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës së “Elbasanit”;

– Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;

– Hyrja e studentëve, do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;

– Hyrja e gazetarëve vendas dhe të huaj të ftuar në samit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në drejtim të pallatit të Kongreseve.

Për të lehtësuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete gjatë kësaj dite, si dhe që të përdorin akse rrugore dhe drejtime të tjera lëvizjeje. Ky kontribut i qytetarëve do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar, për garantimin e masave të sigurisë së këtij Samiti.

Në përfundim, falenderoj mediet për mbështetjen dhe siguroj qytetarët për gatishmërinë e plotë të strukturave të Policisë së Shtetit, për të zbatuar me përpikmëri të gjitha masat e planifikuara, me qëllim sigurimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor, si dhe për një bashkëpunim efektiv me të gjithë aktorët e tjerë.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME