OP/ AN

Sazani një investim politik, jo strategjik

Modeli i turizmit ekskluziv që propozon Rama, Kushner apo Alabar është një turizëm përjashtues që i redukton vendasit në kamarierë dhe pastrues dhe jo në përfitues direkt të pasurive të tyre

Nga Blendi Kajsiu – Pas marrjes së ishullit më të rëndësishëm dhe më të bukur shqiptar nga Jared Kushner, dhëndër i presidentit Trump, vihet re një nxitim i socialistëve për ta paraqitur investimin politik të Ramës si një investim strategjik për ekonominë shqiptare. Sipas kësaj narrative Sazani është një shkëmb pa vlerë që Kushner do ta kthejë në mrekulli turistike që do zhvillojë imazhin dhe turizmin shqiptar përtej imagjinatës sonë të varfër.

Është interesante të vësh re se sa herë pushtetit socialist i dhuron investitorëve strategjik ndërkombëtar, dhe partnerëve të tyre lokal, ndonjë llokmë Shqipëri, hapi i parë është zhvleftësimi i llokmës. Në rastin e portit të Durrësit kryeministri Rama dhe propaganda e rilindjes nuk reshti se përshkruari portin më të madh të Shqipërisë si një qendër të qelbur pisllëku, kontaminimi, dhe si një turp në zemër të qytetit bregdetar. 

Aq sa të krijohej përshtypja që investitori arab që e mori falas këtë truall të pisët në zemër të Durrësit dhe të Shqipërisë po na bënte një nder të madh. Vetë kryeministri na thoshte se me zor e kish bindur Alabarin ta merrte atë copë të qelbur trualli në mes të Durrësit, për të cilën, me sa duket, askush tjetër nuk kish interes. A thua se durrësakët dhe shqiptarët kishin vite që me zor prisnin të hiqnin qafe qindra mijëra metra katror bregdet në zemër të Shqipërisë.  

Sot me ishullin e Sazanit përsëritet e njëjta rrëfenjë e çuditëshme sipas të cilës Sazani nuk është veçse një shkëmb djerrë, me gjarpërinj, shkurre dhe ndryshk ushtarak. Shyqyr që kryeministri Rama gjeti një tutkun tjetër për t’ia ngecur Sazanin tonë shterpë, të cilin vlonjatët dhe shqiptarët me zor po prisnin ta hiqnin qafe. 

Po ti besosh propagandës rilindase nuk ishte fare e nevojshme të bëhej një diskutim publik mbi fatin e aseteve strategjike si Porti i Durrësit, Sazani dhe Zvërneci. Mjafton që këto “plehëra” t’ia ngecnim ca miliarderëve naiv si Alabari apo Jared Kushner, që do ti zhvillojnë ato për interesin tonë. 

Këtu nuk mund të mos ndalojmë pak për të kundruar me kërshëri adhurimin që kanë socialistët shqiptar për miliarderët. Turizmi elitar, portet e jahteve, investitorët strategjik, janë refrene që ata dhe simpatizantët e tyre përsërisin vazhdimisht në mediat tona. Adhurimi i socialistëve për turistat miliarderë dhe me jahte tejkalohet vetëm nga përçmimi i tyre për “turistët ordinerë”, siç janë ata që vijnë nga Kosova apo nga lindja.

Sipas kësaj narrative Shqipërinë mund ta zhvillojnë vetëm miliarderët e huaj si Kushner, në bashkëpunim me milionerët tanë lokal, duke e blerë atë pjesë-pjesë për të ndërtuar rezorte super luksoze dhe ekskluzive ku qytetarët e thjeshtë shqiptarë mund të hynë vetëm si kamarierë, pjata-larës dhe pastrues. 

Problemi është se bota është e mbushur me shembuj rezortesh e investimesh luksose nga miliarderët më të fuqishëm të globit që rrethohen nga mizerja. Ndoshta shembulli më i mirë është ishulli i famshëm i Hauait ku jetojnë dhe kanë investuar miliarderët kryesor të globit, që nga Mark Zuckenberg deri tek Operah Winfrey. 

Pavarësisht miliarderëve pafund që ka tërhequr, dhe investimeve që ata kanë kryer, Hauai sot mbetet një nga shtetet më të varfra të SHBA-ve, me nivele rekord varfërie dhe të pastrehësh (Shiko ketu). Turizmi super-elitar me kapital të huaj i ka çuar çmimet në stratosferë ndërkohë që rrogat e banorëve vendas, që janë reduktuar në kamarierë dhe pastrues, nuk janë të mjaftueshme për të blerë banesë apo për të bërë një jetë të denjë. 

Pa përmendur faktin që turzimi elitar, si ai që është zhvilluar në Hauai, është i paqëndrueshëm sepse rezortet super luksoze harxhojnë sasi të frikëshme uji dhe energjie elektrike, sidomos gjatë verës kur këto burime janë të kufizuara. Kjo do të thotë që shpesh këto investime super-elitare përkeqësojnë krizat energjitike dhe ujore që janë bërë gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Ajo që na mëson rasti i turizmit elitar në Hauait, por edhe rastet e plot rezorteve super-luksoze në detin Karibe dhe në Amerikën Latine, është që turizmi elitar dhe ekskluziv që kontrollohet nga investitorë të huaj të fuqishëm shpesh e rëndon situatën ekonomike të banorëve vendas, sepse rrit çmimet, eleminon hotelerinë vendase, teksa prodhon punësim të cilësisë së ulët për ta (shiko ketu) .

Ndërkohë kontributi i këtij lloj turizmi në buxhetin e shtetit shpesh është i vogël sepse investitorët strategjik janë aq të fuqishëm dhe të lidhur me qeverinë saqë paguajnë pak ose aspak taksa në buxhetin e shtetit. Nuk është çudi që së shpejti të mësojmë se Jared Kushner me statusin e investitorit strategjik nuk do paguajë fare taksa në 5 apo 10 vitet e para të aktivitetit të rezortit të tij. Si mund ti kërkojmë taksa një investitori që po sakrifikon kaq shumë për Shqipërinë duke u bërë pronar i një ishulli plot ferra dhe gjarpërinj? 

Të kuptohemi, nuk jam kundër zhvillimit turistik të Sazanit, Zvërnecit apo të Portit të Durrësit. Ama idea që ky zhvillim mund të vijë vetëm nga Alabari dhe Kushneri në bashkëpunim me oligarkët vendas është propagandë politike dhe jo një realitet ekonomik. Zhvillimi i turizmit elitar dhe ekskluziv që propozon Rama, Kushner dhe oligarkët tanë është një turizëm përjashtues që i redukton vendasit në kamarierë dhe pastrues dhe jo në pronarë dhe përfitues direkt të pasurive të tyre natyrore. 

Ekzistojnë plot shembuj të një turzmi më përfshirës, më autentik dhe më të qëndrueshëm se ai i tipit Hauai. Ka shembuj si ishujt Ibiza apo Mallorca ku banorët e varfër të ishullit u transformuan në sipërmarrës turistik dhe përfituan në mënyrë direkte nga bumi turistik i ishullit të tyre. 

Eksperienca të tilla mund të përsëriteshin edhe në Shqipëri. Në vend të një investitori strategjik, si Kushner apo Alabar, Sazani, Zvërneci dhe Porti i Durrësit mund të hapeshin ndaj qindra investitorëve lokal të vegjël dhe të mesëm. Natyrisht me planifikimin dhe investimin në infrastrukturë të qeverisë qendrore. 

Në vend që Sazani të bëhet Hauai ai mund të bëhej Ibiza. Në vend të një investimi të mbyllur, jo transparent dhe përjashtues mund të zhvillohej një turizëm i hapur dhe përfshirës. Në vend të 300 kamarierëve dhe pastruesve shqiptarë, Sazani, Porti i Durrësit dhe Zvrneci mund të prodhonte 300 sipërmarrës shqiptarë, të mesëm, të vegjël por edhe të mëdhenj. 

Në vend të një rezorti të madh dhe super-elitar ku shqiptarët nuk shkelin dot dhe ku miliarderët pushojnë brenda një kafazi të artë, mund të kishim dhjetëra hotele të vogla, ekologjike dhe autentike që mund të shijoheshin nga të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj, edhe pa qenë milionerë. 

Ky po do ishte një investim strategjik dhe përfshirës, me impakt madhor në ekonominë lokale dhe në xhepat e qytetarëve. Ajo që na ofron qeveria Rama është thjesht një investim politik ku përfituesit kryesor janë Kushner, partnerët e tij lokal dhe pushteti i kryeministrit Rama që tashmë ka garantuar dashamirësinë e Trumpit. 

Për shqiptarët e bregut të mrekullueshëm të Jonit tonë spektakular Sazani do jetë një ëndërr e ndaluar që rrit cmimet, konsumon ujë dhe energji dhe prodhon punësim mediokër për shumicën dërmmuese të tyre. Ata e dinë shumë mirë që Sazani është shumë me tepër se një shkëmb me gjarpërinj, ai është një mrekulli e natyrës që tashmë do mund të shijohet vetëm nga milionerët. Ky është turizmi që na propozon qeveria jonë “socialiste”.

Shkruar enkas për Lapsi.al nga Blendi Kajsiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button