Ish-kreu i RENEA-s, Erzen Breçani tha se Gert Shehu kishte tentuar t’i afrohej kryedemokratit Sali Berisha që gjatë kohës që ai ndodhej në selinë blu. Breçani tha se pas këqyrjes së kamerave të sigurisë së PD-së,ë shtë vënë re se ai ka qenë në oborr që më herët se të ndodhte ngjarja. Breçani rrëfen se 31-vjeçari ka tentuar për t’iu afruar Berishës, derisa gjeti pikën e dobët, pikërisht kur ai po ecte dhe para tij ndodheshin gazetarët.
“Te PD kemi hapur kamerat dhe kemi parë, që personi ka tentuar edhe në oborrin e PD. Është sjellë rreth e qark badigardëve, atyre që e ruajnë fizikisht Berishën. Ka tentuar deri në momentin që e ka goditur. Ka gjetur pikën e dobët. Dhe është pika e dobët për çdolloj badigardi është ndërhyrja përpara gazetarëve.
Në të gjitha deklarimet del kjo gjë. Ky nuk është i paidentifikueshëm. Mbahet mend nga veshja. Ka tentuar të hyjë, por bodigardët i kanë folur. Thonë që ka tentuar të hyjë, që nga oborri. Këtu ka gjetur momentin nga gazetarët. Ka qenë e pamundur për badigardët për t’u afruar” – tha Breçani.
Breçani ka dhënë detaje edhe për momentin e sulmit.
“Isha rreth 10 metra larg vendit të ngjarjes. Unë dëgjova që e goditën dhe u afrova. Falënderoj të gjithë ata që mu bindën dhe ndaluan së godituri. Ne reagojmë sepse na detyron profesioni. Edhe unë pata një goditje pa dashje. Vetë kordoni nuk kishte punonjës policie afër. Ne e morëm dhe e çuam në selinë e PD. Njoftuam sallën operative. Erdhi policia dhe e mori. I kërkova nëse kishte një dokument. Jo tha. Nuk kishte as telefon. Më tha emrin.
E pyeta pse e bëri. Ai tha vetëm: “Bëra atë që duhej bërë”. Nuk tha asnjë fjalë se kush e kishte sjellë. Nuk tha asgjë tjetër. “Bëra atë që duhej bërë dhe e bëra” – ishin fjalët e tij. Mu duk normal. Nuk mu duk si i çmendur. Po të kishte telefon do ia kishim mbajtur që të shihnim thirrjet. Nuk tha asnjë fjalë.
Kur erdhi policia nuk tha asnjë fjalë. E morën dhe ikën. Erdhën pak me vonesë sepse duhet të kishin ardhur më herët” –tha Breçani në Opinion.