Shëndeti i gojës, çelësi i arterieve të pastra

Kërkimet prej kohësh kanë treguar lidhjen mes shëndetit të dobët të mishrave të dhëmbëve dhe rrezikut më të lartë për sëmundje kardiovaskulare. Tani, një provë e re klinike sugjeron se trajtimi i sëmundjes së rëndë të mishrave mund të ngadalësojë ngushtimin e një arterieje kryesore tek njerëzit ndryshe të shëndetshëm, ndoshta duke reduktuar inflamacionin.
Rreth 40% e të rriturve mbi 30 vjeç në SHBA kanë një nivel të periodontitit, një gjendje kronike inflamatore që çon në humbje dhëmbësh dhe erë të keqe të gojës. Me përparimin e saj, krijohen xhepa bakterialë që nuk pastrohen me furçë apo fill dentar. Studimet e shumta e kanë lidhur periodontitin me Alzheimerin, kancerin e zorrës së trashë, artritin reumatoid dhe sidomos me sëmundjet e zemrës. Menaxhimi i sëmundjes është treguar se përmirëson funksionin e enëve të gjakut.
Në provën e re, botuar më 19 gusht në European Heart Journal, studiuesit britanikë zbuluan se trajtimi i periodontitit ngadalëson trashjen e shtresave të brendshme të arterieve karotide në qafë, një tregues i rëndësishëm i rrezikut kardiovaskular. Ndryshe nga trajtimet klasike që ndikojnë në kolesterol, ky efekt vjen nga reduktimi i inflamacionit.
Studiuesit përfshinë 135 persona me periodontit të rëndë, të cilëve iu mat trashësia e karotideve, funksioni i enëve të gjakut dhe markerët inflamatorë në gjak. Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht në një grup trajtimi intensiv, me pastrim të thellë të mishrave për të hequr pllakën dhe gurëzat, dhe një grup kontrolli që mori vetëm një pastrim sipërfaqësor. Të gjithë u ndoqën për dy vjet, me matje të përsëritura të arterieve dhe analizave të gjakut.

Rezultatet treguan se personat e trajtuar intensivisht kishin trashje më të ulët të arterieve, funksion më të mirë të enëve dhe nivele më të ulëta inflamacioni krahasuar me grupin kontroll. Ky përfitim ishte i krahasueshëm me atë të ndërhyrjeve të stilit të jetesës apo disa barnave kardiovaskulare.
Megjithatë, studimi kishte kufizime: u zhvillua vetëm në një vend dhe përfshiu njerëz pa probleme të tjera shëndetësore përveç sëmundjes së mishrave. Kjo do të thotë se gjetjet nuk provojnë se trajtimi i periodontitit përmirëson gjendjen e arterieve tek pacientët tashmë me aterosklerozë.
Edhe kështu, rezultatet mbështesin idenë se periodontiti i patrajtuar është një faktor i ndryshueshëm i plakjes vaskulare. Për ekspertët, mesazhi është i qartë: dentistët dhe mjekët duhet të bashkëpunojnë më ngushtë, pasi shëndeti i gojës është i lidhur ngushtë me shëndetin e përgjithshëm. / Live Science









