KRYESOREOP/ AN

Shkrimtarja polake: Brezi i ri politikanësh shqiptarë me mbështetje nga mafia!

Dhjetë Reflektime nga Moçali – Pas Zgjedhjeve Parlamentare në Shqipëri.
(Margo Rajmer, shkrimtare polake)

Tre ditët e para pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri më janë dukur si të isha mbërthyer në një moçal, pa forcë për të dalë prej tij.

1. Të gjithë e prisnin që Partia Socialiste e Edi Ramës të fitonte, por përmasat e fitores së tij janë tronditëse – 52% e votave, që në sistemin proporcional të çuditshëm shqiptar përkthehen në 83 mandate nga 140 gjithsej. Ky është mandati i tij i katërt. Sa më shumë e korrupton sistemin, sa më shumë skandale mbledh në llogari, sa më arrogant dhe agresiv bëhet, aq më shumë mandate merr.

2. Si ia del? Në vitin 2013, Rama erdhi në pushtet me slogane për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve. Një nga veprimet e para ishte mbyllja e republikës së kanabisit në Lazarat, e lidhur me Partinë Demokratike – dhe bota mori frymë me lehtësi: “Shteti ligjor!” Por në dymbëdhjetë vite, Rama ka ndërtuar një sistem ku kontrollon gati të gjithë median, ka shkatërruar shoqërinë civile, ka thelluar krizën në arsim – sidomos në universitete – dhe e ka kthyer administratën publike në një makinë gjigante që punon për partinë në pushtet. Në Tiranë, miliona euro nga trafiku i kokainës pastrohen nëpër kulla që rriten përditë, dhe askush nuk pyet: Nga vjen gjithë kjo para? Apo më saktë: Përse i duhen një vendi që po shpopullohet dhjetëra kulla mbi 200 metra të larta?

3. Mrekullitë ndodhin në Shqipëri. Shikoni rastin e Sara Milës, një 29-vjeçare nga lista e Partisë Socialiste që mori një ndër rezultatet më të larta në vend. Sipas shumë zërave, votat ia siguruan rrjetet e kokainës nga Elbasani, të cilat donin përfaqësuesin e tyre direkt në Kuvend, pa pasur nevojë për ndërmjetësinë e Ramës. Dhe çfarë i kushton mafies të blejë mbi 18 mijë vota? Rrofsh parti, rrofsh brez i ri politikanësh të sponsorizuar nga mafia.

4. Në Shqipëri zakonisht nuk gjen dot një vend pune në shtet, nëse nuk je i lidhur me Partinë Socialiste. Dhe nëse je i punësuar në administratë, bëhesh militant që duhet të punosh për partinë – ndryshe rrezikon vendin e punës. Edi Rama ka krijuar një sistem me dhjetëra mijëra patronazhistë, të cilët mbledhin informacione sensitive për preferencat elektorale të qytetarëve: kush mund të marrë diçka në këmbim të votës. Kalojnë vite e vite dhe shumë familje që kanë ndërtuar shtëpi në vitet e nxehta të ’90-ës ende nuk i kanë të legalizuara, sepse çështjet zvarriten në gjykata me dekada. Tani imagjino këtë: pas kaq shumë vitesh, merr një sinjal se do të legalizojnë shtëpinë tënde – për njëzet vota. Çfarë bën? E gjithë familja shkon në votime që më në fund të kesh një shtëpi me letra. Gjëra që në vendet me shtet funksional zgjidhen thjesht, në Shqipëri jepen si shpërblim për besnikërinë ndaj kutisë së votimit. Së fundmi intervistova një vajzë, familja e së cilës dikur kishte një fermë kanabisi në Lazarat. Ajo më tha se, ndonëse “historikisht” kishin mbështetur Partinë Demokratike, këtë vit do të votonin për Socialistët – sepse u ishte premtuar legalizimi i shtëpisë së ndërtuar pa leje në këmbim të votave.

5. Miti i diasporës – se votat e saj mund të ndryshojnë situatën politike – u shemb. Për herë të parë, emigrantët kishin të drejtë të votonin nga jashtë, dhe shumica dërrmuese mbështeti Partinë Socialiste. Në Tiranë më thanë se çdo punonjës i administratës duhej të kontaktonte dhjetë shqiptarë që jetonin jashtë. Pastaj, secili prej tyre merrte një telefonatë nga partia, që i pyeste për kë do të votonin. Asnjë parti tjetër nuk kishte burimet për të bërë fushatë jashtë vendit. “Diaspora vjen në Shqipëri për pushime dhe, përveç kësaj, ndjek vetëm propagandën e Top Channel. Ata nuk jetojnë këtu çdo ditë,” më thanë miqtë.

6. Por ata që jetojnë në Shqipëri, në përditshmëri, e kanë mbështetur masivisht Edi Ramën. Ose sepse e kanë dashur, ose sepse janë detyruar. Ata që nuk donin të votonin, thjesht nuk shkuan fare – pjesëmarrja ishte vetëm 42%. Ata që duhej të votonin, shkuan për të votuar Edi Ramën.

7. Për herë të parë këtë vit, shqiptarët kishin një zgjedhje më të gjerë mes partive të reja politike – të djathtat Shqipëria Bëhet dhe Mundësia, si dhe e majta Lëvizja Bashkë. Megjithëse u hodhën mbi 123 mijë vota për partitë e reja, ato u përkthyen në vetëm tre mandate. Rrugë e gjatë dhe e vështirë i pret këto forca të reja në përpjekjen për të ndryshuar gjithçka në Shqipëri. Sepse duhet të arrijnë diçka që duket thuajse e pamundur: të shkatërrojnë themelet e një sistemi të korruptuar dhe mentalitetin e thellë që e mban gjallë – një mentalitet që gjithmonë zgjedh të keqen e qëndrueshme mbi të renë e pasigurt.

8. Sot, liderët e vendeve europiane mblidhen në Tiranë. Do ta urojnë Edi Ramën për një tjetër fitore. Ai do të flasë për të ardhmen e ndritur të Shqipërisë dhe integrimin në BE. Kokaina do të rrjedhë. Patronazhistët do të mbledhin informacione. Televizioni do të shfaqë Kryeministrin buzëqeshur, teksa përshëndetet nga politikanët europianë.

9. “Rama do ta qeverisë Shqipërinë deri në vdekje” – dëgjoj ndonjëherë. Pse? Sepse ai shpërblen besnikët, korrupton kundërshtarët, huton opozitën, injoron intelektualët dhe, mbi të gjitha, e njeh mentalitetin e shqiptarëve si askush tjetër. Para tyre del si shtetari që ata (mendojnë se) u duhet: pak arrogant si sulltan, pak i përulur si Enver Hoxha. Rama e ndjen që shqiptarët nuk e duan lirinë – ose nuk kanë më forcë as vullnet për të rebeluar. Ata kërkojnë një jetë të sigurt, të parashikueshme – dhe diku në horizont – një ëndërr të largët për t’u bashkuar me Bashkimin Europian.

10. E mbyll këtë postim të gjatë me një foto nga Divjaka dhe një anekdotë: ditën e zgjedhjeve, ndërsa po haja darkë në një restorant lokal në Divjakë, një vajzë pranë meje mori një telefonatë. Pas një bisede të shkurtër, e mbylli e mërzitur. U shpjegoi prindërve se e kishin marrë në telefon patronazhistët e Partisë Socialiste dhe e kishin pyetur nëse kishte votuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button