OP/ AN

Pse “gjyqet politike” duhet të jenë me kamera

Proceset ndaj Metës, Veliajt, Berishës duhet të zhvillohen përballë kamerave, për të mos përsëritur farsën e turpshme të gjykimit ndaj Belerit

Nga Andi Bushati

Pas një periudhe të gjatë lavdie, të veshur me frazat standarte se po i jep fund pandëshkueshmërisë, se po pastron klasën e vjetër politike, se po hap një periudhë të re në historinë e vendit, SPAK do të përballet këto ditë përpara gjykatës me dosjet më të mëdha të akuzave që ka ngritur, ato kundër Metës, Veliajt dhe Berishës.

Ngritja e siparit për gjyqet e tyre të themelit, ku do të marrë fund retorika dhe do diskutohet kryesisht për provat, po shoqërohet me një debat të ri: kërkesën konstante të të akuzuarve se proceset duhet të zhvillohen me praninë e kamerave dhe gjithçka të transmetohet live.

Në pamje të parë një kërkesë e tillë mund të duket e diskutueshme. Shumë vende demokratike nuk e lejojnë një praktikë të tillë. Sidomos kur është fjala për figura me impakt të lartë publik dhe me ndikim në opinion, ekziston frika e shkatërrimit të solemnitetit gjyqësor dhe shndërrimi i bankës së të akuzuarit në një tribunë spektakli politik.

Por, pavarësisht këtyre risqeve, nuk ka dyshim se kërkesa e këtyre të akuzuarve VIP duhet të plotësohet pasi është në të mirë të interesit publik. Së pari, ligji shqiptar nuk e ndalon transmetimin live të proceseve. Një shembull i mirë, nga të rrallët që mund t’i përmendet Gjykatës Kushtetuese, ishte rasti i diskutimit të mandatit si kryebashkiak të Erion Veliajt, ku gjykimi u transmetua drejtpërdrejtë duke i dhënë prioritet parimit të transparencës.

Së dyti, kjo transparencë është gati e detyrueshme në kuadër të polemikave që kanë shoqëruar “drejtësinë e re”, që kur ka filluar të merret me politikanët e lartë. Ajo është akuzuar për metoda represive, për intimidim dëshmitarësh, për përzgjedhje selektive të fakteve. Nëse vërtet mëtohet që në këto procese të ruhet, ajo sa ka mbetur nga besueshmëria e reformës, atëherë dyert duhet të jenë të hapura për t’u dëgjuar argumentet e të gjitha palëve. Nëse publiku do të bindej nga ballafaqimi mes argumentave të SPAK dhe të akuzuarve të tij, nëse ai do e pranonte si të drejtë dhe të paanshëm verdiktin e GJKKO-së, atëherë një pjesë e kritikave kundrejt prokurorëve dhe gjykjatësve specialë do të fashiteshin.

Por, ka edhe një arsye tjetër, ndoshta më kryesorja, se përse këto seanca gjyqësore duhet të transmetohen live. Në të vetmin proces politik të deritanishëm, në të parin ku është arritur të merret një vendim i formës së prerë, ai kundër Fredi Belerit, drejtësia jonë ka prodhuar një skandal. Në këtë farsë të nxitur nga Edi Rama, për t’i marrë opozitës edhe një nga shtatë bashkitë që pati fituar, drejtësia jonë e re prodhoi një kopje të proceseve të kohëve më të errëta të diktaturës. Duke servirur dhe pranuar dëshmitarë të rremë, të paguar si spiunë policie; duke servirur dhe pranuar procesverbale të falsifikuara përgjimesh; duke servirur dhe pranuar prova të marra ilegalisht; duke servirur dhe pranuar para blerje votash që s’mbanin gjurmët e gishtave të të akuzuarve, madje duke mos lejuar as një gjë bazike në një proces, si ballafaqimi i dëshmitarëve për të nxjerrë në pah të vërtetën, SPAK dhe GJKKO u bënë pjesë e një farse kriminale, ku drejtësia përdoret si armë politike. Dhe e gjitha kjo u zhvillua pas dyerve të mbyllura, që i mundësuan maskarenjve me flamuj nacionalistë të fshihnin debatin real për faktet dhe provat.

Pas këtij dështimi kolosal, organet e reja të drejtësisë nuk e kanë më luksin të kërkojnë një besim të dytë, duke u fshehur pas parimit të solemnitetit gjyqësor. Ata duhet të hapin për të gjithë dyert e proceseve ku do gjykohen Ilir Meta, Erion Veliaj dhe Sali Berisha.

Që farsa ndaj “grekut të poshtër” mos përsëritet edhe mbi shqiptarët, që pandehma e predikuar nga ish kreu i SPAK, se gjykata i bindet verbërisht ekipit të tij, të mos bëhet rrugë, që e vërteta të mos jetë monopol i papagallëve të prokurorëve specialë, e mira publike kërkon transparencë. Dhjetra mijra votues që i kanë dhënë besim atyre që do të paraqiten në bankën e të akuzuarve, kanë të drejtë të dinë nëse të përzgjedhurit e tyre politikë po ndëshkohen ose jo në bazë të provave dhe jo në emër të një “revolucioni” me kostum euroatlantik, që mëton të përdorë drejtësinë për të ndryshuar klasën politike.

Prandaj SPAK dhe GJKKO duhet t’i pranojnë kërkesat e të paraburgosurve prej tyre. Ky është shansi i fundit për të bindur publikun se këta gjykatës dhe prokurorë e kanë aftësinë dhe ndershmërinë e nevojshme për të qenë në nivelin e sfidës që kanë marrë mbi vete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button