Protesta është zëri i demokracisë!

Nga Dr Ardian Ferro*
Protestat janë një shenjë e shëndetit demokratik të një shoqërie. Ato janë mënyra më qytetare përmes së cilës qytetarët shprehin pakënaqësitë, kërkojnë të drejtat e tyre dhe i kujtojnë pushtetit se sovrani i vërtetë është populli.
Kur qytetarët protestojnë kundër qeverisë, përgjigjja e kësaj të fundit nuk duhet të jetë organizimi i antiprotestave, pavarësisht justifikimeve që mund të jepen.
Në një demokraci funksionale, pushteti duhet të dëgjojë, jo të kundërvihet ndaj qytetarëve të vet. Përplasja e organizuar mes qytetarëve vetëm sa rrit tensionet, ushqen zemërimin dhe rrezikon ta kthejë një protestë paqësore në një konflikt të panevojshëm.
Qëllimi i protestës nuk është dhuna, por ndërgjegjësimi. Ajo synon të sensibilizojë shoqërinë për problemet që e preokupojnë dhe t’i dërgojë një mesazh të qartë qeverisë: të jetë më e drejtë, më e përgjegjshme dhe më e përkushtuar ndaj interesit publik.
Protestat më të fuqishme janë ato që lindin nga shpirti i popullit. Ato nuk kanë nevojë për etiketime politike, sepse burojnë nga shqetësime reale dhe nga nevoja për drejtësi. Pikërisht për këtë arsye, ato duhen dëgjuar dhe lexuar drejt.
Në momente të tilla, intelektualët, profesionistët dhe çdo qytetar me ndjenjë përgjegjësie publike duhet të inkurajojnë pjesëmarrjen qytetare, duke lënë mënjanë ndasitë partiake.
Vëmendja duhet të përqendrohet te kërkesat legjitime të qytetarëve dhe jo te interesat politike të palëve.
Patriotizmi i vërtetë nuk matet me flamuj, slogane apo deklarata të bujshme. Ai dëshmohet përmes mbrojtjes së interesit publik, respektimit të qytetarëve dhe refuzimit të çdo përpjekjeje për ta përdorur kombin si mburojë për përfitime personale apo abuzime me pushtetin.
Një shoqëri që proteston paqësisht nuk është një shoqëri problematike. Përkundrazi, është një shoqëri që ende beson se mund të ndryshojë gjërat përmes demokracisë.
Respekt e mirënjohje për çdo protestues.
*Dr. Ardian Ferro kryetar i komanduar i degës së PD Fier.











