Tronditja në Durrës sjell “furtunë” në polici, drejtues nga Fieri marrin poste kyçe

Pas pezullimit të tre drejtuesve të Policisë Vendore të Durrësit, në vijim të ngjarjes tragjike në zonën e Ish-Kënetës ku humbën jetën dy të mitur, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh në strukturat drejtuese të këtij qarku.
Në kuadër të këtyre lëvizjeve, në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës është komanduar Ervin Hodo, i cili zëvendëson Afrim Xhafën. Ndërkohë, në drejtimin e Policisë Rrugore të Durrësit është emëruar Blerim Laçi.
Ndryshime ka pasur edhe në postin e zv/drejtorit të Policisë Vendore Durrës. Bujar Deliallisi, i cili e mbante këtë detyrë prej disa vitesh, është transferuar në një funksion të ri në strukturat e Policisë së Shtetit në Tiranë.
Në vend të tij është komanduar Ermir Shehu, i cili deri më tani drejtonte Qarkullimin Rrugor pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Burime pranë Policisë bëjnë me dije se si drejtori i ri i Policisë së Durrësit, Ervin Hodo, ashtu edhe zv/drejtori Ermir Shehu, e kanë nisur karrierën e tyre në radhët e policisë në Fier së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Lëvizjet në kupolën drejtuese të Policisë së Durrësit vijnë në një moment të ndjeshëm për institucionin, pas reagimeve të forta publike dhe hetimeve të nisura lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik.









