Thursday, November 21, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETShqipëri, zjarre të shumta dhe temperaturat të larta

Shqipëri, zjarre të shumta dhe temperaturat të larta

Prej më shumë se 2 muajsh zjarret vazhdojnë të djegin në Shqipëri me mijëra hektarë pyje dhe kullota. Thuajse çdo ditë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton për dhjetëra vatra zjarri nga veriu në jug të vendit. Vetëm gjatë ditës së hënë u raportuan 47 vatra zjarri, nga të cilat 36 janë shuar, ndërsa 11 janë aktive. Kjo është dita me numrin më të madh të vatrave të zjarrit, të përhapura në sipërfaqet pyjore të vendit, si dhe një nga ditët me temperaturat më të larta të regjistruara gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht në Shqipëri.

Situata është më problematike në zonat e mbrojtura, ku vatrat e zjarreve po vazhdojnë me shpejtësi të përhapen. Kështu, zjarret e përhapura në territorin e Maqedonisë së Veriut janë shfaqur edhe në brendësi të territorit të Shqipërisë, në Parkun Kombëtar të Prespës, në Malin e Thatë, ku pavarësisht ndërhyrjes së strukturave vendore, zjarri vazhdon të jetë aktiv për shkak të terrenit të vështirë.

Gjithashtu, në Tropojë, në fshatin Çerem, vatra e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Alpeve është përhapur dhe terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen e forcave të specializuara për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore. Por zjarret kanë prekur gjatë muajit të korrikut dhe ditëve të para të gushtit edhe parkun kombëtar të Lurës në Dibër si dhe parkun arkeologjik të Finiqit, ndërsa rrezikuan edhe një numër resortesh në vijën bregdetare të Shëngjinit.

Gjatë ditës së hënë u raportuan vatra zjarri në pyjet e Tropojës, Bulqizës, Matit, Shkodrës, Kurbinit, Dropullit, Finiqit dhe Selenicës.

Sipas Qendrës Operacionale të Emergjencave Civile, në bashkinë e Tropojës janë aktive dy vatra zjarri në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen si dhe në fshatin Çeren. Në fshatin Tërnovë të bashkisë Bulqizë vatra e zjarrit vijon të jetë aktive, pavarësisht përpjekjeve të shumta nga forcat në terren për ta vënë nën kontroll. Në fshatin Selicë të bashkisë së Matit zjarri është aktiv në dy vatra dhe, për shkak të erërave të forta, izolimi i zjarrit ende nuk është arritur. Ndërsa në fshatin Skuraj, në bashkinë e Kurbinit, nuk ka zjarr të hapur, por tymi vijon si rezultat i djegies së humusit nën bimësi, duke rrezikuar riaktivizimin e flakëve.

Vatra të shumta zjarri vazhdojnë prej ditësh të djegin sipërfaqet pyjore dhe të rrezikojnë zonat e banuara edhe në jug të vendit. Në vendin e quajtur Mali i Pusit, përballë fshatit Zhulat dhe mbi fshatin Sotirë, në bashkinë e Dropullit, situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit, ku zjarri aktiv ka kaluar në kurorën me pisha. Edhe në fshatin Kostar, në bashkinë e Finiqit si dhe në fshatin Mërtiraj të bashkisë Selenicë, zjarri vijon të jetë aktiv, por sipas autoriteteve të mbrojtjes civile, nuk paraqet rrezik për banesat.

Në Shqipëri, zjarret në sipërfaqet pyjore janë të përvitshme dhe autoritetet pohojnë se ato shkaktohen nga temperaturat e larta, por një pjesë e konsiderueshme edhe nga pakujdesia e banorëve vendas si dhe zjarrvëniet e qëllimshme. Vetëm nga viti 2009 deri në vitin 2021, sipas të dhënave të INSTAT, në Shqipëri u dogjën nga zjarret rreth 230 mijë hektarë me pyje dhe kullota, një dëm ky i konsidrueshëm për ekonominë e vendit, por edhe mjedisin natyror.

Në përpjekje për të mbajtur nën kontroll vatrat e zjarreve aktivizohen, përveç forcave dhe mjeteve zjarrfikese, edhe ato të policisë dhe ushtrisë, një kosto kjo shtesë, mjaft e lartë për qeverinë shqiptare me një buxhet vjetor të kufizuar.

Vetëm në operacionin e një dite më parë, më 11 gusht 2024, për shuarjen e vatrave të zjarrit u angazhuan 665 forca operacionale, 43 automjete, 99 trupa ushtarake si dhe helikopteri i Forcës Ajrore , shkruan VOA.

Megjithëse zjarret vazhdojnë prej më shumë se 30 vitesh të dëmtojnë pasurinë kombëtare të pyjeve, Shqipëria vazhdon të ketë kapacitetë të pakta teknike dhe njerëzore për mbrojtjen e pyje nga zjarret dhe dëmtimet e qëllimshme. Vendi ka rreth 1300 punëtorë dhe ekspertë pyjesh, rreth 140 automjete zjarrfikëse, shumica të vjetra dhe të papërshtatshme për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore, dhe asnjë helikopter të specializuar për shuarjen e vatrave të zjarrit nga ajri.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME