
Pas fitores 2-1 me San Marinon, Mirlind Daku dhe Kristjan Asllani folën për atë që ndodhi në fushë, duke prekur problemet e shfaqura gjatë lojës, vështirësitë ndaj kundërshtarëve të tillë, por edhe mënyrën se si Shqipëria duhet të reagojë në vazhdim.
Një fitore që erdhi me shumë vuajtje, por që në fund i dha Shqipërisë atë që kërkonte, 3 pikët në Nations League. Kuqezinjtë mposhtën 2-1 San Marinon në “Air Albania”, në një ndeshje që dukej se po shkonte drejt një barazimi të papritur.
Shqipëria e mbylli me fitore përballjen ndaj San Marinos, por triumfi 2-1 nuk e fshehu paraqitjen e vështirë të kuqezinjve. Skuadra e Rolando Maranit pati mundësi të shumta për ta zgjidhur ndeshjen që në pjesën e parë, por mungesa e konkretizimit dhe rënia e ritmit i dhanë mundësi kundërshtarit të rikthehej në lojë.
Heroi i mbrëmjes ishte Kristjan Asllani, i cili shënoi të dy golat e Shqipërisë dhe vulosi triumfin në minutën e 93-të. Mesfushori kuqezi zhbllokoi takimin që në minutën e 11-të, me një goditje të fuqishme nga distanca që përfundoi në rrjetë. Shqipëria pati më pas disa mundësi të arta për të dyfishuar avantazhin. Manaj u ndal nga shtylla, ndërsa Hoxha, Mehmeti dhe Uzuni nuk arritën të konkretizonin rastet e krijuara.
Dhe kur Shqipëria nuk po e gjente golin e dytë, San Marino goditi. Në minutën e 66-të, Lazzari përfitoi nga një krosim në zonë dhe me qetësi dërgoi topin në rrjetë, duke vendosur baraspeshën 1-1. Nga ai moment, kuqezinjtë u hodhën përpara, por minutat kalonin dhe goli nuk po vinte. San Marino rezistoi deri në fund, duke e vënë seriozisht në diskutim fitoren e Shqipërisë.
Kur dukej se gjithçka do të mbyllej me një barazim zhgënjyes, erdhi momenti vendimtar. VAR-i sinjalizoi një episod në zonë dhe pas rishikimit të pamjeve, arbitri akordoi penallti për Shqipërinë. Topin e mori Asllani. Minuta e 93-të. Presioni maksimal. Por mesfushori nuk gaboi. Goditja e tij përfundoi në rrjetë dhe Tirana shpërtheu në festë.
Goli i San Marinos solli barazimin dhe rriti ndjeshëm presionin mbi kuqezinjtë, të cilët më pas arritën të siguronin fitoren. Megjithatë, pas ndeshjes, vetë lojtarët e Shqipërisë nuk e fshehën zhgënjimin për mënyrën se si u zhvillua takimi.
Mirlind Daku, Kristjan Asllani, Elseid Hysaj dhe Berat Gjimshiti u ndalën te problemet e shfaqura gjatë lojës, duke evidentuar mungesën e përqendrimit, humbjet e topit, rastet e shpërdoruara dhe nevojën për të nxjerrë mësime nga kjo sfidë.

null
Daku: Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar
Mirlind Daku e pranoi hapur se Shqipëria duhet të jetë shumë më e përqendruar në përballje të tilla. Sulmuesi theksoi se çdo kombëtare meriton respekt dhe se humbja e pikëve në një ndeshje të tillë do të ishte e papranueshme.
“Kjo është një gjë që duhet të mësojmë të gjithë si futbolliste, që nuk duhet nënvlerësuar asnjë kombëtare se të gjithë luajnë futboll tani. Dhe nga unë i pari e të gjithë duhet të përqendrohemi maksimalisht ndaj këtyre ekipeve pasi është turp të lëshosh pikë ndaj këtyre ekipeve.
Topi te penalltia? Ai është për llojin e presionit, fjalëve që përdorim para gjuajtjes së penalltisë. e mora topin që ti hutoj pak mbrojtësit dhe portierin që të mos i flitnin. Por edhe po ti flitnin, isha 100% i sigurt që Asllani do të shënonte.
Është gjithmonë e lehtë se edhe në stërvitje e kemi provuar shpesh. Luajmë bashkë, është e lehtë të kuptohemi. Duhet pak kohë të luajmë bashkë, patëm hapësira e shanse, por shyqyr që fituam, do ishte katastrofë po të mos fitonim”, tha Daku për TV Klan pas ndeshjes.

Asllani: Kur nuk i mbyll ndeshjet, është problem i madh
Kristjan Asllani u ndal te vështirësitë që Shqipëria pati për ta kontrolluar ndeshjen. Mesfushori evidentoi mungesën e presingut dhe distancat e mëdha mes lojtarëve, duke pranuar se skuadra duhet të përmirësohet në menaxhimin e ndeshjeve.
“Nuk e di pse kaq e vështirë. Kur nuk i mbyll ndeshjet, është problem i madh. Ndoshta ne mesfushorët nuk po bënim shumë presing. Kishim distanca të gjata. Morëm këto 3 pikë dhe të ecim përpara. Ne kemi bërë atë që na kërkoi trajneri.
Problemi ynë është kur ne mesfushorët nuk e prekim topin dhe duhet ta marrim te mbrojtësit. Tani futbolli është bërë shumë i vështirë. Në Finlandë bëmë 25 minuta shumë të mira dhe më pas erdhi goli i pësuar.
Kur shkova te penalltia, ishte një deja-vu. Si te ndeshja Lecce – Torino. Unë shikoj gjithmonë portierin. Është një cilësi e mirë. Tani e kuptuam se çfarë do trajneri, pra idetë që ai do të aplikojë”, u shpreh Asllani.

Hysaj: Duhet ta marrim si mësim
Elseid Hysaj u fokusua te mungesa e konkretizimit dhe te rënia e përqendrimit pas avantazhit. Mbrojtësi pranoi se Shqipëria pati raste të mjaftueshme për ta mbyllur ndeshjen shumë më herët dhe se skuadra duhet të nxjerrë mësime për të ardhmen.
“Vuan Shqipëria se nuk shënon mundësitë e golave që ka. Po shënove ato raste, ndeshjen e mbyll në pjesë të parë 3 me 0. Kjo është me këto skuadra. Po e le 1 me 0 mund të dalë 1 top, të kenë një rast. Normal që edhe ato luajnë futboll. Duhet ta mendojmë mirë që kur jemi para, të shënojmë gola.
Disa lojtarë mund të kenë ndjerë lodhjen sepse kanë bërë katër ndeshjeve. San Marino ishte shumë poshtë dhe nuk po lejonte hapësira për të sulmuar me shpejtësi. Besoj se disa lojtarë i kam parë dhe unë të lodhur. Kjo është e vërteta.
Nuk mund ta quaj të dobët. Ne kishim raste. E ndjeja të sigurtë që do fitonim 2 apo 3 me 0. Në fillim e nisëm mirë, patëm raste për gola. Në pjesë të dytë ishte problem kur e shikoje 1 me 0. Një rast ose gjë mund ta krijojnë ato. Dhe nëse penalizohesh, nuk mund ta rikuperosh. Faleminderit për fatin që patëm që na dha penalltinë dhe morëm 3 pikët. Kjo është më e rëndësishmja.
Tifozeria nëse të jep një dorë është gjëja më e bukur në botë. Mund të japin shtytjen që patëm penalltinë dhe morëm fitoren. Po një gjë që e kam problem. Unë kam problem dhe u kam thënë çunave, që këtë duhet ta marrim mësim të gjithë. Nuk mund të gabosh këto ndeshje sepse penalizojnë gjithë grupin. Duhet ta kemi mësim në nëntor që të jemi gati për ndeshjet e radhës. Po nuk jemi të përqëndruar 100% nuk mund të bëjmë asgjë.
Goli i San Marinos? Nuk e kam parë akoma tamam, por me sa mbaj mend unë, më shumë neglizhimi. Menduam ndoshta që nuk do bëjnë asgjë. Ai që dha topin dhe ai që shënoi, u çuditën. Ishte ndjesi e çuditshme edhe për mua të them të drejtën. Numri 8 i tha nuk e di si ta dhashë topin. Dhe unë i thashë nuk e di si e dhe. Ishte çudi për të gjithë, po prisnim të vendoseshim dhe na mori kohë.. Kjo gjë na mori kohën dhe i la që të luajnë të qetë”, u shpreh Hysaj për “Klan TV”.

Gjimshiti: Nuk kam fjalë për sot, ishim shumë dobët
Edhe Berat Gjimshiti ishte i drejtpërdrejtë në analizën e tij pas ndeshjes. Mbrojtësi i kuqezinjve pranoi se Shqipëria pati një paraqitje shumë larg asaj që duhej, duke theksuar se skuadra duhet të luajë më shumë si grup dhe të jetë e përqendruar gjatë gjithë takimit.
“Në karrierën time, vështirë të kem pasur ndeshje të tillë. Mësimet janë që duhet të luajmë si skuadër. Te suksesi i ekipit, ke sukses edhe individualisht. Me vepra mund të kisha bërë edhe unë që të kisha ikur përpara. Besoj, siç e thashë edhe më herët, duhet të marrim shumë mësime nga kjo ndeshje.
20 minutat e para bëmë mirë, pastaj luajtëm dobët. U duk që çdo lojtar i jonë duhet të bënte gol, por duhet të luajmë bashkë. Ka shumë gjëra për të përmirësuar.
Çfarë nuk shkoi? Përqendrimi. Merr gol nga të gjitha ekipet. Duhet të përqendrohesh 100% në çdo ndeshje. Edhe topat e dobët kemi humbur shumë. Ata ishin më agresivë. Ndonjëherë më duket sikur ata kishin më shumë kualitet se ne.
Nuk kam fjalë për sot. Të gjitha ndikuan sot. Nëse nuk punojmë me këmbët, duhet të punojmë me kokën. Këtë e kam mësuar nga trajnerët që kam punuar. Mentaliteti është kryesori”, tha Gjimshiti.










