Shtrëngim i rregullave për të huajt, shtohet dëshmia e penalitetit

Lejet e qëndrimit për të huajt duken se po shkojnë drejt shtrëngimit. Një draft i hedhur për konsultim publik për hyrjen dhe qëndrimin e të huajve në Shqipëri parashikon rregullime të reja, me fokus digjitalizimin e aplikimeve dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Një risi e rëndësishme lidhet me heqjen e detyrimit për vizë për qëndrim deri në 90 ditë brenda 180 ditëve, për shtetasit e vendeve të treta që kanë vizë ose leje qëndrimi të vlefshme nga një shtet i Bashkimit Europian. Drafti shton gjithashtu kërkesa të reja dokumentacioni, përfshirë detyrimin për paraqitjen e lejes së qëndrimit mbi 12 muaj në vendin e rezidencës dhe certifikatës së gjendjes gjyqësore për shumicën e kategorive të aplikantëve, me përjashtime për të miturit dhe të moshuarit.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është shtimi i detyrimit për paraqitjen e certifikatës së gjendjes gjyqësore. Sipas relacionit, dëshmia e penalitetit duhet të jetë e lëshuar jo më herët se gjashtë muaj nga data e aplikimit. Ajo do të aplikohet për të gjitha kategoritë e lejeve të qëndrimit, me përjashtim të aplikantëve nën moshën 16 vjeç dhe mbi 75 vjeç.
Ndryshime dhe saktësime parashikohen për vizat e tipit “D” dhe lejen unike, përfshirë një kategori të posaçme për punëtorët shtëpiakë, kërkesa shtesë për sportistët dhe garanci financiare për aplikimet për studime. Po ashtu, projektakti parashikon dokumentacion shtesë për punëtorët stinorë, saktëson kriteret për ripërtëritjen e lejeve të qëndrimit dhe qartëson procedurat për pajisjen me leje qëndrimi për investitorët e huaj, me synim krijimin e një procesi më të parashikueshëm dhe nxitës për investimet në Shqipëri.
Projektakti synon që aplikimet për vizë dhe leje qëndrimi të kryhen kryesisht online.








