KULTURË

Shuhet aktori Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi

Aktori i njohur Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare. Ai u nda nga jeta në spital, pas një sëmundjeje të gjatë. Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nisi studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, të cilat i përfundoi në 1967. Pas diplomimit, ai punoi për një kohë të gjatë si pedagog në ILA, ndërkohë që angazhimi i tij në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ishte i herëpashershëm. Në vitin 1978 u emërua zyrtarisht aktor në këtë teatër, ku vazhdoi karrierën artistike për rreth 12 vjet, deri në mesin e viteve ’90.

Gjatë karrierës së tij teatrale, Makashi interpretoi role të njohura që lanë gjurmë në skenën shqiptare, si Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, Beni në “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu në “Dritat e skenës”, Telhai në “Besa” dhe Filipoviç në “Inspektori”, ky i fundit duke shënuar edhe rolin e tij të fundit në teatër.

Në kinematografi, ai debutoi që në vitin 1967 me një rol episodik si marinar në filmin “Dueli i heshtur”, dhe më pas u shfaq në një sërë filmash të njohur, përfshirë “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegja” (1972), “Rrugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit” (1992). Karriera e Fitim Makashit shënoi një periudhë të rëndësishme të skenës dhe kinemasë shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button