OP/ AN

Si të jetohet në vitin G-Zero

Nga Veton Surroi – Kemi hyrë në periudhën më të paparashikueshme prej viteve tridhjetë të shekullit të kaluar. Ja shtatë shenja të shënuara kalimthi për rrugëtimin para

G-Zero është emri i periudhës në të cilën kemi hyrë tashmë më 2025. Emrin ia dhanë politikologu Ian Bremmer dhe ekonomisti David Gordon, që të dytë pjesë të Eurasia Group, një qendre analizash e konsulence globale. Emri përshkruan një rend global të karakterizuar nga mungesa e një fuqie të vetme dominuese, me shumë aktorë që konkurrojnë për ndikim, por pa një autoritet ose udhëheqje mbizotëruese.

Ian Bremmer e quan këtë si periudhën më të rrezikshme (apo të paparashikueshme)  që nga vitet 30 të shekullit të kaluar. Vetë mendimi që diçka u ngjason viteve tridhjetë të shekullit të kaluar është njëkohësisht trishtuese dhe frikësuese, por nëse lihet anash ky dimension, duhet të jetë nxitëse për një analizë të esëllt se si do të zhvillohet kjo botë kur tashmë është bërë e qartë se rendi ndërkombëtar i ndërtuar me rregullat  e deritanishme thuhet se ka marrë fund, por rendi i ri me rregulla të reja ende nuk ka lindur.

Në këtë intermexo, ja disa shenja identifikuese nga margjinat e historisë që po bëhet.

1. Gjeje veten në hartë: Ende pa e marrë detyrën, presidenti i zgjedhur Trump ka filluar garën që të tjerët të adaptohen ndaj tij, paparashikueshmërisë së tij apo paramendimit të politikës që do ta zhvillojë. Gara po zhvillohet në politikën e jashtme, siç u pa me dorëheqjen e kryeministrit kanadez që mori një vendim edhe bazuar në vlerësimin e forcës që duhet ta ketë kryeministri i këtij vendi ndaj një presidenti që para se ta marrë pushtetin përshkroi Kanadanë diku mes një province dhe një shteti të mundshëm, të 51-të të SHBA-së. Gara po zhvillohet në botën teknologjike, ku për shembull Mark Zuckeberg i Facebook-ut iu adaptua idesë (së paramenduar se do ta ketë presidenti Trump) për medie pa redaktor, pa përgjegjësi redaktoriale dhe pa përgjegjësi sociale.

Numri i liderëve evropianë e botërorë dhe atyre të biznesit që do të përpiqen të akomodohen ndaj politikave të presidentit Trump do të jetë i gjatë.

2. Paradoksi MAGA: Presidenti Trump 2.0 do të zhvillojë më tutje parullën MAGA (Make America Great Again). Megjithatë, vizioni i presidentit Trump për ta bërë Amerikën të madhe sërish nuk është duke e rritur dominimin ushtarak e as me fillimin e luftërave të reja. Interpretimi i tij është ai i forcimit të SHBA-së brenda (ekonomi, infrastrukturë, shërbime sociale, siguri)  dhe të shpërblimit nga ana e shteteve të tjera për rolin stabilizues në botë, qoftë nëpërmjet NATO-s apo të forcës së vet ushtarako-bërthamore karshi Rusisë e Kinës.

MAGA, kështu, shndërrohet në parullë për tërheqje të SHBA-së nga roli i deritanishëm i garantuesit të rendit liberal dhe të hapësirës demokratike në hapësirën euroatlantike dhe atë të Azisë Juglindore/Oqeanisë.

3. Në kërkim kreativ për shpallje të fitores: Rusia dhe Perëndimi kanë hyrë në garë për të gjetur formën kreative të shpalljes së fitores në luftën e Ukrainës. Presidentit Putin, nëse nuk mendon të vazhdojë luftën deri në Kiev, i nevojitet një formulim kreativ që do ta njihte të drejtën e Rusisë për të mbajtur (apo administruar) territoret që i ka pushtuar. Perëndimit i nevojitet një formulim që do të njihte përkohshmërinë e pushtimeve ruse, por ruajtjen e Ukrainës si një shtet që në paqe do të mund të zhvillohet si një kandidat anëtarësimi në BE.

Presidentit Trump, që nuk e do vazhdimin e luftës në Ukrainë, do t’i nevojitet një formulim i cili nuk e nxjerr Putinin fitues e Amerikën humbëse.

Kina do të bëjë interpretimin e vet kreativ të ndërprerjes së luftës në Ukrainë. Ky interpretim mund të jetë më kreativ se të gjithë të tjerët: kufijtë duhet të jenë të paprekshëm dhe kjo duhet të vlejë për Ukrainën, por gjithashtu duhet të vlejë e drejta e popujve për kthimin te shteti amë (si në Donjeck apo Tajvan).

Në shekullin XX kjo është quajtur revizionizëm.

4. Paradoksi i rendit të vdekur që është i gjallë: Ndonëse ky mund të jetë G-Zero dhe duhet të shënojë intermexon mes rendit të vjetër dhe të riut, rendi i vjetër vazhdon të ekzistojë në disa segmente të rëndësishme. NATO-ja, për shembull, është më e fortë se ç’ka qenë para fillimit të agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Tregtia e liberalizuar globale vazhdon po ashtu të jetë e gjallë. Paradoksalisht, as sanksionet kundër Rusisë nuk kanë mundur ta ndalnin tregtinë në nivel global: Rusia shet naftë në Indi, blen zarzavate evropiane në Kazakistan e Kina dhe madje prodhuesit amerikanë dërgojnë pajisje teknologjike në Rusi, nëpërmjet kanaleve që i njeh vetëm tregtia.
Kina, Indonezia, Vietnami, Argjentina, Afrika e Jugut e madje edhe Irani në formë paradoksale janë bërë pjesë e konsensusit liberal që ndërtoi tregtinë e lirë me iniciativë amerikane pas Luftës së Dytë Botërore.

Kina, poli kundërshtar i SHBA-së, është shteti komunist që e dëshiron të paprekur rendin botëror kapitalist të ndërtuar prej SHBA-së prej 1945 deri më sot.

SHBA-ja, vendi që avokoi tregti të lirë prej 1945 deri më sot, do ta ketë në krye në president që mund të kërkojë tarifa që pengojnë tregtinë e lirë; për më tepër, tarifa që do ta bëjnë më të shtrenjtë televizorin, atletet dhe laptopët për qytetarin amerikan.

5. Paradoksi i globalistit nacionalist: Elon Musk, njeriu më i pasur në botë dhe aventurier në hapësirë e politikë, ka ndërtuar pasurinë e tij falë globalizmit, që nga Pay-Pal e deri tek automobilat “Tesla”. Megjithatë është duke përdorur platformën e tij X (të njohur, në jetën e mëparshme liberale si Twitter), që është platformë globale, për të nxitur forcat nacionaliste në Evropë. Ai është duke përdorur energjinë e tij personale (dhe pasurinë) për forcimin e personave e lëvizjeve që janë më në skaj se e djathta e skajshme në Britani të Madhe. Në Gjermani, Musk është duke vënë bast tek AfD, një lëvizje që për një pjesë bukur të madhe të skenës politike konvencionale gjermane perceptohen si neonazistë.

Fërkimi mes SHBA-së dhe Evropës mund të duket në përmbajtjen e postimeve të Muskut në X. Por, ky është vetëm një simbol: fërkimi real do të jetë mes një koncepti të dominimit të rrjeteve sociale (dhe oligarkëve të tyre) si forma të reja diktature propagandistike dhe konceptit të rregullimit të rrjeteve sociale si entitete me përgjegjësi sociale dhe ligjore.

6. Dënimi identitar evropian: Bashkimi Evropian i ka konsumuar vitet e shekullit XXI duke debatuar për rolin e vet autonom si fuqi botërore. Gjatë po të njëjtit shekull XXI nuk ka arritur të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë e as të ketë një qasje të bashkuar rreth pavarësisë së Kosovës dhe rrugës së saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky nuk është ndonjë tregues mbresëlënës për fuqinë në politikë të jashtme e të sigurisë.

Debati për rolin e BE-së si fuqi botërore do të shpejtohet me paradoksin Trump. MAGA e sheh BE-në si një hapësirë tregtie të lirë në anën tjetër të oqeanit, ashtu siç e sheh Vietnamin, Tajlandën dhe Malajzinë. BE-ja, ndërkaq mund të zgjohet me të kuptuarit se SHBA-ja është pjesë e identitetit evropian, se BE-ja nuk do të ishte e mundur pa ombrellën e sigurisë së NATO-s. Gjegjësisht, se BE-ja, e tashme dhe ajo në perspektivë e shtrirë deri në Ukrainë, nuk është pjesë vetëm e një (ish) bote liberale-demokratike, por edhe e një hapësire shumë të përafërt kulturore.

Në një botë që gradualisht mund të ravijëzohet drejt dy poleve, SHBA-së dhe Kinës, kufiri ndarës do të jetë kufiri mes Evropës atlantike dhe Euroazisë, diku në territoret e pushtuara të Ukrainës. Debati evropian nuk duhet të jetë aq sa çfarë është forca e BE-së në një botë multipolare, por çfarë është forca e BE-së në botën e saj euroatlantike.

7. Sfida për të vegjlit: Një thënie afrikane thotë se kur elefantët luftojnë e pëson bari. Kjo thënie nuk duhet të vlejë për Kosovën e për Ballkanin Perëndimor. “Elefantët” në këtë rast do të ishin bota euroatlantike dhe ajo euroaziatike. Interesi strategjik i Kosovës, Ballkanit Perëndimor dhe i botës euroatlantike është që kjo zonë të mos jetë pjesë e përkimit të “elefantëve”. Në fakt, kjo pjesë është pjesë e natyrshme e botës euroatlantike dhe sfida është se si të përdoret mandati i presidentit Trump e rirregullimeve në marrëdhëniet SHBA-Evropë që kjo të formalizohet me marrëveshje ndërshtetërore e regjionale. koha.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button