Situatë e ndërlikuar në Hasturkas pas daljes së lumit Seman – 15 banesa ende nën ujë, argjinatura e çarë në 4 pika

Fier – Situata në fshatin Hasturkas, njësi administrative Libofshë, Bashkia Fier, vijon të mbetet e ndërlikuar edhe 24 orë pas daljes së lumit Seman nga shtrati, ndonëse niveli i ujit ka shënuar një rënie të lehtë.
Sipas banorëve të zonës, uji është ulur rreth 20 cm, por pavarësisht kësaj, 15 banesa vazhdojnë të jenë të përmbytura, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme edhe në stane, sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore dhe kultura të mbjella, kryesisht vreshta, ullinj dhe foragjere.
Banorët kërkojnë verifikim të menjëhershëm të dëmeve
Banorët shprehen se qeveria duhet të dërgojë sa më parë ekipet e verifikimit, për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga përmbytja dhe për të hapur rrugën e dëmshpërblimeve.
Nga ana tjetër, situata mbetet alarmante për shkak të çarjes së argjinaturës në katër pika, secila me gjatësi rreth 25 deri 40 metra, fakt që sipas banorëve përbën një rrezik serioz, pasi parashikohen reshje të reja shiu dhe ekziston frika e një vërshimi të dytë të ujit.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bordi i Kullimit, për të bllokuar çarjet dhe për të shmangur përkeqësimin e situatës.
Pa viktima në njerëz dhe bagëti të mëdha
Sipas të dhënave nga terreni, situata po shkon gradualisht drejt normalizimit. Banorët raportojnë se ka pasur pak shpezë të ngordhura, por nuk ka pasur bagëti të mbytura, falë ndërhyrjes së forcave të ushtrisë, të cilat kanë ndihmuar në largimin e bagëtive nga stane dhe banesa të rrethuara nga uji.
Disa banorë kanë mbetur të izoluar për shkak të përmbytjes, por janë evakuuar dhe sistemuar në zona të sigurta, jashtë rrezikut nga uji.
Dronë termikë për kërkimin e banorëve të izoluar
Ndërkohë, shteti ka ndërhyrë edhe përmes dronëve termikë, të cilët kanë lokalizuar persona të izoluar në zona të përmbytura. Sipas burimeve, të gjithë janë gjetur shëndoshë e mirë, por disa prej tyre kanë refuzuar evakuimin, duke deklaruar se nuk mund të linin mbi 200 krerë lopë në mëshirë të fatit.
Situata në Hasturkas mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa banorët presin masa konkrete dhe ndërhyrje të shpejtë për riparimin e argjinaturës dhe vlerësimin e dëmeve.
Dëmet
Tre vllezër. Besnik, Astrit dhe Agim Jaupi shpëtuan nga mbytja 600 dele e 350 qingja. Banesat u përmbytln.
Vlash Hila 35 krerë lopë i shpëtoi, u mbyt baza ushqimore.
Tre blegtor të Fierit të ardhur te kurora e Lumit Seman, Hasturkas shpëtuan 200 krerë lopë
Todi Gjerdiku 4 krerë lopë i shpëtoi
Fred Baba, 8 krerë lopë i shpëtoi,, 7 ha tokë e përmbytur me kultura bujqësore.
Aristir Ziu 5 dosa, i shpëtoi











