Thursday, November 21, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËSKY ECC do të trondisë politikën, oligarkët, pushtetin dhe median

SKY ECC do të trondisë politikën, oligarkët, pushtetin dhe median

Nga Lufti Dervishi

Imagjinoni të lexoni një libër policor apo të shihni një film në Netflix ku paditet në Prokurori një strukturë e policisë që merret me vëzhgimin, përgjimin, vendosjen GPS, infiltrimin në organizatat kriminale, lokalizimin e personave në kërkim, operacionet e transportit (të kontrolluar) të drogës, video survejimin. Them imagjinoni se kjo nuk ka ndodhur tjetërkund veç në Tiranë.

Agjencia e Mbikqyrjes policore ka paditur në muajin korrik në Prokurori, forcën operacionale pasi dyshon se ka tranferuar të dhëna…! Forca Operacionale ka akses të plotë në të gjitha bazat e të dhënave të policisë. Pak ditë më parë drejtori i kësaj force Bistri u arrestua si i implikuar në dosjen “Metamorfoza”.

Një lajm i tillë, nuk flet për “vetëpastrimin e policisë”, por për nivelin e lartë të kriminalizimit të saj dhe faktin që peshku është qelbur nga koka. Eshtë naive të mendosh që vetë Agjencia Mbikqyrjes Policore ka hetuar dhe ka zbuluar se forca operacionale po përdorte një linjë të pa autorizuar interneti. Denoncimi i bërë pak para ekzekutimit të operacionit “Metamorfoza” duket se ka lidhje me zbardhjen e komunikimeve të aplikacionit SKY ECC.

SKY ECC po i bën të duken qesharake ato që deri dje mendoheshin si skandale të mëdha, sic ishte gënjeshtra publike e ish drejtorit të përgjithshëm të policisë bashkë me prokurorin e Elbasanit që u gradua në SPAK, dy ditë para zgjedhjeve të 2021, në ngjarjen që i mori jetën një personi, plagosi tre të tjerë, frikësoi një dyzinë policësh dhe terrorizoi një qytet.

Mendo për një moment të mos ishte zbërthimi i aplikacionit SKY? Do të kishim ende vrasës që vrisnin për qerasje, invesitorë strategjikë që zbukurojnë Shqipërinë, oficerë policie që raportojnë te vrasësit dhe prokuror që bëhen copë për të liruar banditë.

Lajmi i denoncimit në Prokurori të Forcës Operacionale nuk po trajtohet si SKANDAL, por po kalon si lajm i aksidenteve rrugore, ndërkohë që bëhet fjalë për shembjen e besimit te struktura elitë e policisë së shtetit. Dhe mendo për një moment që ky është vetëm fillimi… zbardhja e komunikimeve në SKY do të na ofrojë surpriza të tjera nga politika, biznesi, media, gjyqësori dhe ndoshta edhe nga feja…

Mesa duket vetëm Sky (qielli) do të bëj të mundur dridhjen e (nën) tokës së krimit të veshur me uniformë e policit, të deputetit, apo edhe të gjyqtarit. “SKY” është kutia e Pandorës… Hapja e saj nxorri vrasjet me porosi, babëzinë, zilinë, makutërinë, vafërinë, dhimbjen, E vetmja gjë e fundit që ka mbetur është shpresa. SKY është shpresa se së paku do të bëhet transparenca e llumit të mbledhur në vite në të gjitha pushtetet, përfshirë edhe pushtetin e medias.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME