AKTUALITETTOP-NEWS

“Sky Ecc” fundos një shef krimesh dhe 5 të tjerë/ SPAK zbulon si merrnin deri në 7.500 euro për të ndikuar në drejtësi

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë…

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka goditur një rast të ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë nëpërmjet pagesave në shumë të mëdha.

Në korrik u zhvillua një operacion në 4 qarqe të vendit, ku u arrestuan 7 persona dhe u shpallën në kërkim 6 të tjerë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine në Evropë.

Të identifikuarit si Vilson Aleksander Roçi,  Akil  Alushi, A. Gj., M. Gj., J. (alias I) M. dhe S. L., u arrestuan në valën e opeacionit, ndërsa Erjon Dani është vetëdorëzuar në komisariatin e Himarës. Ky i fundit, në periudhën objekt hetimi ka ushtruar funksionin e Shefit të Policisë Kriminale, njëkohësisht dhe Zv. Shef i Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, i cili, të dhënat e administruara në sistemin TIMS, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës i kanë vënë në dispozicion të personit nën hetim Klodjan Muça.

SPAK bën me dije se e ka ndarë dosjen dhe ka dërguar për gjykim 6 persona:

1. Musa Gjikola

2. Klodjan Muça

3. Sokol Masha

4. Erjon Dani

5. Emiljano (alias Millan) Roçi

6. Vilson Roçi

Të pandehurit akuzohen për konsumimin e elementëve të veprave penale:

“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 dhe neni  25 të Kodit Penal (sipas ndryshimeve të ligjit nr. 144/2013),
si dhe për të pandehurin Erjon Dani, “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënie dënimi  ndaj disa të arrestuarve.

Gjithashtu, është provuar se i pandehuri Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.

Hetimet kanë dokumentuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare.

Ky procedim penal është ndarë nga procedimi penal nr. 177 i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë nën hetim, të dyshuar për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 283/a, 298, 333/a, 334/1 dhe 28/4 të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme shpreh falënderimet e saj për autoritetet franceze, holandeze dhe belge, si dhe për Eurojust dhe Europol, për bashkëpunimin dhe asistencën e dhënë gjatë këtij hetimi. Pamfleti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button