OP/ AN

SPAK 2 – 0 Balluku/ Servilët një natë pa gjum

Nga JOQ – Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, pasi nuk u arrit shumica e nevojshme e votave për pranimin e saj.

Vendimmarrja përfundoi në barazim 4 me 4, çka sipas rregullave të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese nënkupton automatikisht rrëzimin e ankimit.

Si pasojë, mbetet në fuqi vendimi i SPAK dhe i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Balluku, pasi Gjykata Kushtetuese nuk e shfuqizoi atë.

Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin përfundimtar për këtë çështje, duke theksuar se mungesa e shumicës vendimmarrëse e bën të pavlefshëm ankimin e paraqitur nga kryeministri. Ndarja e votave 4 me 4 përbën, sipas ligjit, pamundësi për të marrë një vendim në favor të kërkesës.

Kujtojmë se GJKKO, me kërkesë të SPAK, vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut. Kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë vendim si shkelje të kompetencave të tij kushtetuese dhe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se gjykata kishte ndërhyrë në kompetencat e pushtetit ekzekutiv, konkretisht në të drejtën e kryeministrit për të pezulluar ose shkarkuar anëtarët e qeverisë.

Pas depozitimit të kërkesës nga kryeministri, Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e përkohshëm në detyrë të Ballukut deri në shqyrtimin në themel të çështjes. Megjithatë, me vendimin e sotëm, ankimi është rrëzuar dhe pezullimi i saj nga detyra mbetet në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button