SPAK hap dosjen e pasurisë së Belinda Ballukut

Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se ka regjistruar procedimin penal Nr.95, viti 2025, mbi bazën e kallëzimit të shtetases Adriana Kalaja kundër Belinda Ballukut dhe ish-kreut të Tatimeve, aktualisht deputet të PS, Ceno Klosi. Në njoftimin zyrtar thuhet: “Materiali kallëzues shtesë ardhur dhe protokolluar më datë 16.09.2025… është administruar në kuadër të procedimit penal Nr.95, viti 2025. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake.” Dokumenti më poshtë:

Në pamje të parë, procedimi duket si një çështje e thjeshtë e lidhur me disa kompani që dyshohet se pastrojnë para dhe që kanë lidhje me Ceno Klosin. Por në fakt, mënyra se si SPAK e formulon përgjigjen është pjesa më domethënëse dhe tregon se hetimi ka hyrë në territorin e pasurisë së Belinda Ballukut.
Kjo lëvizje i zgjeron dyshimet nga “shkelja e barazisë në tendera”, drejt pasojave si gjurmimi i përfitimeve ekonomike, të pasurimit të padrejtë dhe rrjedhimisht të asetëve që duhen verifikuar.
Rruga e deritanishme e përballjes së prokurorisë me Ballukun dhuron një trajektore në ngjitje të hetimit: nga një akuzë e thjeshtë për barazinë në tendera, te arrestimet e vartësve, te pezullimi nga detyra, dhe tani një hap më tej, analiza e pasurisë.
Skema e ngjashme te lotet e Unazës së Madhe

Tashmë nën lupën e prokurorëve nuk është vetëm Loti 4 i Unazës së Madhe, (pjesa mbi Shkozë e rrugës) por edhe gjashtë lote të tjerë, duke bërë që i gjithë projekti të kalojë në sitë.
Bëhet fjalë për një investim prej 450 milionë euro për 28.7 kilometra rrugë, një nga paketat më të mëdha të tenderëve publikë në Shqipëri.
Reporter.al publikoi sot të dhëna se tenderat e Unazës së Madhe fitoheshin sistematikisht me ofertën maksimale të mundshme, shpeshherë me vlera që mbërrinin 99% të fondit limit. Në disa raste, analiza tregonte se konkurrenca ishte thjesht dekorative: kompani të papërshtatshme që “mblidheshin rrugës”, operatorë që sillnin oferta jashtë çdo logjike ekonomike, dhe një komision vlerësimi që përfundonte pothuaj gjithmonë aty ku donte ministria.

Në dritën e këtyre fakteve, zgjerimi i hetimit drejt të gjithë lotëve duket i pashmangshëm. SPAK ka në dorë tashmë një volum të konsiderueshëm dokumentesh, mesazhesh, emailesh dhe urdhrash të brendshëm që mbulojnë periudhën 2021–2023, përfshirë edhe bisedat e njohura midis Ballukut dhe Berberit ku përcaktoheshin afatet, fituesit dhe koha e publikimeve në sistem.
Mes tyre edhe urdhri lapidar: “Të plasi trapi… Nesër publikoji të gjitha në darkë.”
Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Në planin politik, Belinda Balluku ndodhet në pikën më të ulët të karrierës së saj: e pandehur, e pezulluar nga detyra, e kufizuar në lëvizje dhe me bashkëpuntorët kryesorë të arrestuar.
Ajo ka hedhur hapin e fundit procedural që i ka mbetur, ankimimin në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin nga detyra. Por edhe sikur Kushtetuesja t’i japë një mundësi të vazhdojë detyrën, përballja do të vazhdojë me hetimet e SPAK.
Në thelb, pozicioni i saj ndryshon shumë pak. Dosja tani ka hyrë në fazën më të rëndë të hetimit: gjurmimin e pasurisë, verifikimin e llogarive, të të dhënave tatimore, të kompanive të lidhura, të përfituesve efektivë dhe të çdo rruge që çon drejt parave.
Zgjerimi i hetimeve te të gjithë lotet e Unazës së Madhe tregon po ashtu se dyshimet janë për të goditur jo thjesht Ballukun, por të gjithë strukturën e korrupsionit në ministrinë e infrastrukturës.











