SPAK po heton kompaninë ONE për lidhje korruptive me Veliajn

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po heton marrëdhëniet mes kompanisë “One Communication” dhe “Gogel”, e cila drejtohet nga Arbër Veliaj. Në qendër të hetimeve janë dyshimet për favorizime apo ushtrim të ndikimit të paligjshëm nga ana e Veliajt për të siguruar kontrata.
Sipas dokumentave hetimore, kompania “One” paguan Arbër Veliajn për marketing dhe promovim, ndërkohë që fiton tendera (pa garë) në Bashkinë e Tiranës, e drejtuar nga vëllai i madh i familjes Veliaj, Erioni. SPAK ka zbuluar se një kompani sigurimi dhe “One Communication” kanë pasur marrëdhënie kontraktuale me “Gogel” në vlerë prej 5 milionë eurosh.
Nga hetimi rezulton se klienti kryesor i ‘Gogel shpk’ është shoqëria ‘One Albania’, me një total shitjesh prej 551.639.924 lekë të reja”, thuhet në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliaj.
Në vijim, në vendimin e Gjykatës së Posaçme jepen detaje të përfitimeve që ka marrë kompania “One” nga bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Erion Veliaj.

Një tjetër aspekt i hetimit lidhet me transfertat financiare që kompania “Gogel” ka bërë drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën. Sipas të dhënave të SPAK-ut, kompania “Partner Law” ka përfituar 100 mijë euro për shërbime të dyshuara si fiktive, qendra BYLA ka marrë 20 mijë euro, ndërsa një studio në pronësi të nënës së Xoxës ka përfituar 74 mijë euro. Në total, bëhet fjalë për 200 mijë euro të transferuara nga “Gogel” për Ajola Xoxën.
Hetimet e SPAK-ut vijojnë për të zbardhur të gjitha detajet e kësaj skeme dhe për të përcaktuar shkeljet ligjore.