Studentët i refuzojnë dialogun, Rama nxjerr sërish gurët e betonit para Kryeministrisë dhe kërcënon të rinjtë

Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë sërish stolat e betonit para kryeministrisë, duke u kërkuar studentëve dialog, por edhe duke i kërcënuar të rinjtë, që sipas tij, kanë marrë peng kryeqytetin. Kryeministri akuzoi organizatorët se kanë eksportuar atë që e cilësoi si “terrorin e ANTIFËS” dhe se kanë përdorur studentët për qëllime të tjera.
Duke i kërcënuar, Rama thotë se kush e mori peng kryeqytetin do të përgjigjet ligjërisht, penalisht dhe do të përgjigjet sipas shkallës së shkeljes së bërë. Ai thekson ndër të tjera se Shqipëria do të vijojë rrugën për të çuar ‘flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut’ në Bashkimin Europian, pavarësisht pengesave që dalin rrugës.
“Përsëri e përsëri ftesa për dialog e gatishmëri për të qenë me këdo qoftë që kërkon dhe beson në dialog është këtu. Jam i gatshëm kudo qoftë, në cdo vend, në cdo orë me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë më e mirë dhe Shqipëria bëhet më e mirë me njerzillëk, me shkëmbim dhe ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta. Kundërshtia e dhunshme, kundërshtia me forcë,kundërshtia që bie ndesh me fillin e arsyes nuk i imponohet dot domosdoshmërisë për dialog, ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta dhe për bashkëjetesë demokratike në një vend ku e kaluara nuk ka shans të kthehet.
Kush e mori peng kryeqytetin duke eksportuar këtu terrorin e ANTIFËS dhe duke bërë lojën e të tjerëve në emër të studenteve dhe duke u vënë në ballë të studenteve përmes fytyrës së mbuluar duhet ta dijë se do të përgjigjet. Do të përgjigjet ligjërisht, penalisht, do të përgjigjet sipas shkallës së shkeljes së bërë, sipas shkallës së keqkuptimit të madh. Keqkuptim i madh ky që të mendosh se mund ti imponohesh një populli të tërë, një komunitetit të tjerë, të mund ti imponohesh familjeve që duan të shkojnë në punë me gjuhën e gurit dhe zjarrit. Keq kuptim i madh që do të kthehet në mësim për këdo që besoi se përmes këtij keqkuptimi do të ndryshonte rrugën e Shqipërisë. Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon, Shqipëria do të vazhdojë drejt dhe Shqipëria do të cojë në majën e ëndërruar flamurin e Ismail QEmalit dhe Skënderbeu dhe Shqipëria do të jetë pjesë e atij BE që nuk e pengojnë dot forcat që janë përfshirë në këtë zullum të madh,” tha Rama.







