Argjentina rindez shpresat për një kualifikim për në raundin tjetër të Kupës së Botës. Skuadra e Scalonit mori një fitore 2-0 në duelin e vështirë ndaj Meksikës, por që ia dolën ta zgjidhnin vetëm në pjesën e dytë.
Argjentina nuk mundi të shkojë më shumë se një barazim pa gola në pjesën e parë ndaj Meksikës. Deri më tani ka qenë një ndeshje e bllokuar në mesfushë, ku rastet për shënim kanë munguar. Për të parë rastin e parë të Albicelestëve duhet të prisnim minutën e 41-të, ku Lautaro provoi me një goditje me kokë, por topi shkoi shumë larg kuadratit.
Në fillimin e pjesës së dytë, Albiceslestët ishin më të vendosur në fushë, teksa do të gjenin dhe golin e avantazhit. Në minutën e 64-t, Lionel Messi do të shënonte një gol fantastik me një goditje shumë të bukur nga distanca që shkoi në cepin e portës. Asnjë shans reagimi për portierin Ochoa.
Më pas skuadra e Scalonit u përpoq më shumë që të mbronte rezultatin, ndërkohë që në fundin e duelit, Enzo Fernandez do të realizonte një super gol me një goditje të bukur në hyrje të zonës. Me këtë fitore Argjentina ngjitet në vendin e dytë në grup me 3 pikë, po aq sa Arabia Saudite, ndërkohë që Polonia (rivali i ardhshëm) ka 4 pikë.