Sylvinho, fsheh formacionin e kunj Muçit

“Kishim fatin të luanim ndeshjen më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Nuk kishim një rezultat të mirë, edhe pse kishim një paraqitje të mirë. Nuk kam asgjë për t’u thënë djemve, ishte ndeshje e mirë. Kështu është futbolli, kur humb duket çdo gjë gabim, por nuk është ashtu”. Sylvinho ndalet te i gjithë rrugëtimi i kualifikueseve të Botërorit, përpara asaj që mund të jetë ndeshja e fundit e tij në pankinën e kombëtares së Shqipërisë. “Nesër është ndeshje e mirë, një tjetër ndeshje ndaj një ekipi të madh përfaqësues. Janë të mërzitur si ne, por duhet të luajmë 90 minuta dhe duhet të përgatitim atë ndeshje shumë mire”.
Përtej mërzisë për rezultatin kundër Polonisë, tekniku brazilian kërkon një përgjigje nga lojtarët e tij, për këtë sfidë me Ukrainën: “Unë nuk besoj në ndeshjet miqësore, kur shkon në fushë duhet të jesh i përqendruar, të bësh 100% për 90 minuta. Janë disa lojtarë që thonë ‘trajner jam këtu, mund të luaj 45 minuta apo 90’. Ne presim një ndeshje të vështirë nesër, të fortë, Ukraina ka shumë lojtarë të mirë”.
Sylvinho pastaj kërkoi ti bënte gjërat të qarta në lidhje me formacionin, ku ndryshimet radikale janë të përjashtuara: “Unë nuk besoj që të ndryshoj 5-6-7 lojtarë, kështu jam unë. Mundësia për të luajtur është nëse gjërat funksionojnë. Nëse nuk ke ide apo gjërat nuk ecin në fushë, ndoshta nuk është një mundësi për mua. Duhet të organizosh skuadrën si zakonisht, por mendoj për 2-3 ndoshta 4 zëvendësime”.
Kush pret emra, duhet të dorëzohet. Sylvinho nuk flet asnjëherë e aq më pak pas kryqëzimit që iu bë për lënien jashtë të Mehmetit e Muçit. “Nuk e di çfarë formacioni do ketë Ukraina, nuk e di as për ne. Sot pas darkës do flasim me lojtarët dhe të kemi formacionin më të mirë në fushë. E trishtueshme për rezultatin e fundit, performancë e mrekullueshme ndërkohë. Po rritemi si përfaqësuese – tha braziliani që pastaj rezervoi një kunj për Muçin -. Disa lojtarë që luajnë, duhet t’i tregojnë përfaqësueses dhe njerëzve gjithashtu që: ‘Jam gati të vesh fanellën dhe të luaj, dua të vi sërish’. Kemi shumë gjëra që luajmë nesër, motivimi është ky”.









