Asnjë mëri nga ana e ish-drejtorit sportiv Igli Tare, i cili vendosi të largohej verën e kaluar nga Lazio. Tare kaloi në Romën bardhekaltër 18 vite, fillimisht si futbollist dhe më pas si drejtues. Një zgjedhje që kishte shkaktuar shumë diskutime, por që ishte rezultat i një vendimi ekskluziv të ish-futbollistit shqiptar, siç shpjegohet në një intervistë të tij për Radio Serie A.
“Në fillim ishte e çuditshme, tani po mësohem me të. Mundohem t’i mbush ditët e mia duke njohur më mirë kampionatet e tjera, duke përjetuar vende, stadiume dhe klube nga afër për të zbuluar mentalitetin e tyre. Nuk kam asnjë mëri që u largova nga Lazio. Ishte një dëshirë e imja. Lazio do të mbetet dicka e vecantë që do ta mbaj gjithmonë brenda vetes. Ishte eksperienca më e bukur e jetës sime. Me kalimin e viteve kuptova që cikli im kishte përfunduar, koha e duhur kishte ardhur për t’u larguar – nënvizoi Tare -. Respekti ndaj klubit dhe tifozëve ishte aq i madh sa doja të largohesha sa isha në majë. Ishte një zgjedhje e dhimbshme, por tani ndihem i rikarikuar. Do të jem gjithmonë një tifoz i Lazio”.
Më pas, Tare tregoi edhe kohët kur e mori vendimin e vështirë: “Vitet e fundit kam parë rritjen e klubit, ky ishte qëllimi im. Kuptova që mundësitë nuk ishin më të njëjta, pritshmëritë ishin gjithnjë e më të larta. Doja të largohesha në kohën e duhur, pikërisht për shkak të lidhjes së fortë që kam me Lazio”.