Friday, October 4, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIThellohet kriza, bizneset rrezikojnë të mbeten pa punonjës

Thellohet kriza, bizneset rrezikojnë të mbeten pa punonjës

Kriza e burimeve njerëzore ka shtuar kostot e prodhuesve nga 25 deri në 40%. Shumë kompani duke përfshirë prodhuesit e bukës, ndërtuesit, transportin e mallrave vijojnë t’i kenë sytë nga India, Egjipti dhe Turqia për gjetjen e punëtorëve, ndonëse kjo praktikë nuk po rezulton e suksesshme. Politika për rritjen e lartë të pagave ka kthyer nga emigracioni një numër të pakët punonjësish, por nga ana tjetër bizneset paralajmërojnë shtrenjtim tjetër të çmimeve. 

Dorina Azo

Mungesa e fuqisë punëtore po shfaqet e mprehtë te shumë sektorë prodhues. Kompanitë e ndërtimit, prodhuesit e bukës, të mobilieve, nga sektori i transportit dhe i shërbimeve pohojnë se vala e emigracionit po thellon krizën në tregun e punës.

Mungesa e punëtorëve po shoqërohet me shtim të kostove që variojnë nga 25 deri në 40% dhe të çmimeve deri 20% sipas sipërmarrësve.

Emigracioni i lartë mbetet një nga arsyet e reduktimit të fuqisë punëtore të disponueshme. Në vitin 2022, sipas të dhënave të Eurostat rreth 74 mijë shtetas shqiptarë morën leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve u rrit 34%.

Në total nga 2008 nga vendet e BE-së janë dhënë 832 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë.

Alarmi për mosgjetje punonjësish ngrihet edhe nga prodhuesit e bukës, specialiteteve të brumërave dhe pastiçerive.

Pas marrjes së disa masave për plotësimin e vendeve të lira te burimet njerëzore, që nisën me rritjen e herëpashershme të pagave, prodhuesit pohojnë se në mungesë të një programi kombëtar institucional, kanë filluar bisedimet me kompanitë rekrutuese për punonjës të huaj.

Hysen Caka, administrator në “Caka Group”, si dhe ish-drejtor i fabrikës shtetërore të prodhimit të bukës, pohon për “Monitor” se pas pandemisë së COVID-19, deri tani i janë larguar 30 punonjës të specialiteteve të prodhimit të brumërave, përfshi produktin e bukës, byreqeve, kruasantëve dhe ëmbëlsirave.

Me keqardhje ai thotë se sektorit, për shkak të kostove të kompanive, po i largohen punonjës të kualifikuar për dy dekada. Shkaku i largimit mbetet emigracioni kryesisht në Gjermani dhe Kroaci, pasi përfitojnë paga shumë herë më të larta se në Shqipëri.

“Në tërësi, sektori i prodhimit të brumërave po vuan problematikën e mungesës së fuqisë punëtore, në një kohë kur pagat e punonjësve janë rritur në nivele të kënaqshme. P.sh., paga e specialistit të prodhimit të brumit, profesionit të furrxhiut arrin në 100 mijë lekë në muaj.

Pavarësisht rritjes së herëpashershme të pagave, prodhuesit e bukës dhe pastiçerive po përballen me vështirësi reale për gjetjen e specialistëve të kualifikuar të përpunimit të brumit, për shitës dhe punonjës sanitarë”, pohon z. Caka.

Në këtë situatë, përveç përpjekjeve të vazhdueshme të tyre për gjetjen e resurseve njerëzore brenda vendit, prodhuesit po i kthejnë sytë për punëtorë nga vendet aziatike.

Pavarësisht se marrja e punonjësve të huaj shton rrezikun e humbjes së të ardhurave për shkak të largimit nga Shqipëria të punonjësve të huaj, furrat e bukës kanë hyrë në bisedime me kompanitë e huaja rekrutuese, për punësime nga India dhe Nepali.

Ali Dedolli, nga “Alna Bakery”, tha për “Monitor” se po shqyrton mundësinë me një kompani të huaj rekrutimi për marrjen e punonjësve të huaj, nga India dhe Nepali, për të zgjidhur problematikën e mungesës së punëtorëve.

“Pavarësisht pasigurive të hasura deri më tani te biznese të tjera me punësimet e të huajve, jemi të detyruar ta përballojmë rrezikun e marrjes së të huajve. Po hasim vështirësi nga mungesa e punëtorëve, një ndër problematikat kryesore të sektorit.

Në shumë raste, punëtorët e huaj janë larguar nga vendi i punës, pasi Shqipëria përdoret më tepër si trampolinë për të shkuar drejt vendeve europiane”.

Z. Dedolli thotë se kostoja e rekrutimit të një punonjësi të huaj është shumë e lartë, dhe largimi i tyre do të krijonte vështirësi financiare te furrat e bukës.

Kompanisë rekrutuese i paguhet vetëm një herë tarifa 800 euro për individ, pas nënshkrimit të dokumenteve për marrjen e punonjësit të ri, ndërsa paga mujore e punonjësve të huaj parashikohet të jetë 500 euro në muaj, përveç kostos shtesë për marrjen e shtëpive me qira për akomodimin, si dhe pagesa ditore e ushqimit.

Edhe kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia, e konfirmon fillimin e bisedimeve me kompanitë e huaja të rekrutimit, si ato nga Dubai, për sjelljen e punonjësve nga India te prodhuesit e bukës.

Për këtë qëllim u organizua një takim paraprak informues me kompaninë ndërkombëtare ABC HR me seli në Dubai dhe me zyra operative në Indi, që ka në objekt të saj prurjen e fuqisë punëtore në vendet e tjera, duke pasur një përvojë të gjatë, në disa shtete të Europës dhe Ballkanit.

Kompania ABC ka një bazë të dhënash me mbi 60,000 punëtorë cilësorë, të cilët janë të gatshëm të punojnë në Europë me kontrata afatgjatë.

Z. Peshkopia tha se “me kërkesën tonë, me drejtuesit e kompanisë dhe përfaqësuesit e saj në Shqipëri, u organizua një takim posaçërisht për trajtimin e procedurave organizative, teknike e financiare që duhen për rekrutimin e punonjësve.

Ai tha se furrat e bukës po shqyrtojnë mundësinë për marrjen e punonjësve nga India, ndërsa nuk përjashtohet shqyrtimi i mundësive edhe për punësime nga rajoni dhe vende të tjera.

“Mungesa e fuqisë punëtore të specializuar në prodhimin e brumërave dhe ëmbëlsirave kërkon zgjidhje të menjëhershme.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmarra nga sektori, që nisën me rritjet e herëpashershme të pagave, pothuajse të gjitha furrat në vend po hasin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore.

Për këtë arsye bizneset prodhuese janë të hapura për shqyrtimin e mundësive për punësimin e specialistëve të huaj me përvojë të ngjashme, qoftë nga shtetet aziatike dhe ato të rajonit”, pohoi ai.

Ndërtuesit i kthejnë sytë nga Turqia për punëtorë, ndërsa transporti nga Egjipti

Kriza e burimeve njerëzore po ndikon edhe te sektori i ndërtimit. Luigji Aleksi, anëtar nderi i bordit drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, pohoi për “Monitor” se kompanitë e ndërtimit janë në vështirësi të madhe për gjetjen e punëtorëve të specialiteteve të ndryshme, që nga muratorë, hidraulikë apo elektricistë.

Erjon Harizi, kryetar i Bordit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë tha se shumë kompani ndërtimi kanë kryer punësime me punonjës të huaj nga vendet si: India dhe Bangladeshi, por marrja e tyre ka dështuar, pasi nëpërmjet Shqipërisë ata janë larguar drejt vendeve europiane.

Z. Harizi shton se shumë kompani ndërtimi vendase po lidhen me kompani ndërtimi në Turqi për marrjen e specialistëve të ndërtimit nga ky shtet.

Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, për shkak të mungesës tepër të lartë të fuqisë punëtore, pagat e tyre janë dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, çka ka sjellë shtim të lartë në kostot e ndërtimit.

Shtim të kostove ndërtimi pati edhe vitin e kaluar për shkak të shtrenjtimit të menjëhershëm të lëndëve të para pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë.

Edhe sektori i transportit të mallrave të importit është në pritje të të punësuarve nga Egjipti.

Nga Rudolf Xhilari i kompanisë së transportit të mallrave me kamionë “Balkan Trans Albania” u pohua se për shkak të emigracionit u mungon 50% e fuqisë punëtore, ndërsa vijojnë diskutimet me kompanitë e huaja rekrutuese nga Dubai për shqyrtimin e mundësive të punësimeve nga vendet e huaja.

Sipas tij paga minimale e drejtuesve të kamionëve në Shqipëri varion nga 500 deri në 600 euro, ndërsa maksimalja nis nga 1,000-1,500 deri 2,000 euro. Sektori nuk ka mundësi të punësojë drejtues kamioni vendas, pasi shumica janë larguar drejt Gjermanisë.

Pagat për drejtuesit e kamionëve në Europë nisin nga 2,000 euro.

Edhe pse shumë kompani prodhuese dhe të shërbimit kanë nisur shqyrtimin e mundësive për punësimin e të huajve, veçanërisht nga kompanitë e rekrutimit të Dubait, disa prej tyre pohojnë se kanë filluar të plotësojnë vendet e munguara te burimet njerëzore me specialistët e larguar që po rikthehen.

Dritan Cacaj, drejtuesi i mobilierisë “Trin Mobileri”, tha më herët se prej shtatorit të 2022, sektori vuan mungesën e fuqisë punëtore. Për këtë arsye i është drejtuar një agjencie punësimesh për marrjen e 10 punonjësve nga Egjipti, me përvojë të ngjashme në vendin e tyre për përpunimin e drurit.

Z. Cacaj pohon se nuk punësoi numrin e punonjësve të huaj të parashikuar, pasi boshllëkun në fuqinë punëtore e plotësoi me specialistët e përpunimit të drurit të rikthyer nga emigracioni.

“Kemi punësuar 11 punonjës, specialistë të përpunimit të drurit vendas të cilët janë rikthyer nga emigracioni.

Kryesisht janë të larguar të vetëm në Gjermani, të cilët kishin familjet në Shqipëri dhe një kategori tjetër janë të larguarit pa dokumente në Angli, të cilët i kanë rikthyer në vend”, pohoi ai.

Ai shton se numri i të rikthyerve mbetet ende i vogël krahasuar me kërkesën e sektorit për punësime. Rritja e pagave në nivel deri 120 mijë lekë në muaj për specialistët e përpunimit të drurit dhe pagat deri 80 mijë lekë në muaj për gjysmëspecialistët, sipas tij, është një ndër arsyet kryesore që do të garantojë moslargimin e punonjësve vendas.

Sektori i bareve dhe shërbimeve po përballet me vende të lira prej 15,000 punonjësish. Enri Jahja nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve u shpreh më herët për “Monitor” se edhe punonjësit nga vendet aziatike po largohen ashtu siç ndodhi me punësimet nga Bangladeshi dhe India.

Ai shton se rendimenti i punonjësve aziatikë është më i mirë krahasuar me indianët, pavarësisht se kanë kosto më të lartë page, por edhe këta punonjës po e përdorin Shqipërinë si trampolinë për t’u larguar.

“Mungesa e theksuar e fuqisë punëtore ka detyruar shumë biznese të bareve dhe restoranteve të punësojnë punonjës nga Bangladeshi, India dhe vendet aziatike.

Nga bizneset e pyetura konstatohet se punonjësit nga India e shohin vendin tonë jo për të qëndruar si të punësuar, por për të shkuar drejt shteteve të tjera.

Largohen në mundësinë e parë që gjejnë. Rendimenti i punës së tyre nuk është i njëjtë me shqiptarët. Punësimi i tyre është humbje kohe për biznesin”.

Kosto për punonjësit aziatikë, ku kryesisht në bare dhe restorante janë punësuar nga Filipinet, është 400 USD paga minimale, duke përfshirë fjetjen dhe ushqimin për 10 orë punë në ditë. Për punonjësit e kualifikuar, paga është më e lartë.

Z. Jahja rekomandoi se duhet të gjendet një zgjidhje me politika stimuluese ndaj punonjësve vendas. Së pari, ai këshillon përfshirjen e komunitetit rom në shërbime jo vetëm në kryerjen e punëve të rëndomta.

Gjithashtu lind nevoja për forcimin e ligjit të përfitimit të ndihmës sociale, për mosdhënien e saj pa vlerë, por orientimin drejt tregut të punës.

“Së dyti, në planin afatgjatë të masave është e domosdoshme ngritja e shkollave profesionale, në qytete sipas kërkesës së bizneseve.

P.sh., në Berat shkollë për guida, në Vlorë për shef kuzhine, shef salle, recepsion, menaxher hoteli, somelier etj. Së treti, ndihmë për sa i përket biznesit sezonal në mbajtjen e stafeve dhe zgjatjen e sezonit”.

Robotika zbret te furrat e bukës për të zëvendësuar largimin e punonjësve

Për arsye të largimeve të punonjësve të huaj, operatorë të tjerë shohin si “shpëtim” vetëm kryerjen e investimeve për robotizimin e prodhimit. Punësimet me punonjës të vendeve aziatike, ai nuk i sheh si zgjidhje, pasi në shumë sektorë, nisma ka rezultuar e pasuksesshme, për shkak të emigrimit drejt Europës.

Sipas tij, e ardhmja e sektorit mbetet robotizimi i prodhimit, me qëllim zëvendësimin e fuqisë punëtore dhe uljen e kostos. Kompania tashmë ka investuar për blerjen e tre makinerive robotike për prodhimin e bukës, byrekut dhe kruasantëve.

Makineritë vihen në punë nga njerëzit, po rendimenti i lartë prodhues i tyre arrin të zëvendësojë një numër të konsiderueshëm të fuqisë punëtore së munguar.

Hysni Caka thotë se rendimenti i robotit të prodhimit të bukës arrin 300 bukë në orë dhe zëvendëson 15 deri në 20 punonjës të kualifikuar.

Ndërsa roboti për prodhimin e byrekut zëvendëson mungesën e 100 punëtorëve.

Rendimenti prodhues i makinerisë arrin 300 deri në 500 kg brumë byreku në orë.

Kompania ka investuar edhe për blerjen e makinerisë për prodhimin e kruasantëve. Rendimenti prodhues i makinerisë është tejet i lartë, duke arritur të prodhojë 300 kg në orë kruasantë dhe 126 mijë copë në orë minikruasant.

Vënia në punë e saj pritet të reduktojë një numër të konsiderueshëm punonjësish.

Rendimenti i lartë që ofrojnë makineritë robotike pritet të krijojë një model të ri biznesi te prodhuesit e bukës.

Sipas z. Caka, kompanitë e vogla të prodhimit të bukës do të funksionojnë nën ombrellën e operatorëve të mëdhenj, që arrijnë të mbulojnë financiarisht koston e lartë e blerjes së makinerive robotike.

“Kostoja për blerjen e makinerive është e lartë dhe nuk mund të përballohet nga operatorët e vegjël. Për fabrikat e vogla do të jetë më e leverdishme të prodhojnë, duke qenë pjesë e prodhuesve të mëdhenj.

Duke qenë se rendimenti i prodhimit është i lartë, vënia në punë e makinerive arrin të plotësojë kërkesën për shumë prodhues”, nënvizon z. Caka.

Ai shton se makineritë e robotizuara nuk ndikojnë te cenimi i traditës për prodhimin e bukës artizanale, pasi funksioni i tyre është për prerjen e produkteve të brumit dhe pjekjes së tyre me më pak kosto.

Ndërsa përpunimi i brumit do të vijojë të kryhet nëpërmjet makinerive ndihmëse, ashtu siç zhvillohet aktualisht.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave në vend operojnë 8 – 10 mijë furra buke dhe pastiçeri, ku secila po vuan mungesën e fuqisë punëtore.

Nga muaji shtator i vitit të kaluar, për shkak të mungesës së punëtorëve, shumë furra buke në vend janë detyruar të rrisin pagat deri në 80%, me qëllim mbajtjen e profesionistëve.

Sipas shoqatës, për pozicionin e furrxhiut, profesioni më kyç në prodhimin e brumërave, pagat variojnë nga 60 mijë lekë deri në 100 mijë lekë në muaj.

Rritje e lartë pagash është bërë edhe për punonjëset e pastrimit, nga 70 deri 80%.

Prodhues të tjerë pohojnë se zgjidhja e kësaj problematike duhet të orientohet drejt arsimit profesional, ku në bashkëpunim me institucionet shtetërore, punësimi i nxënësve të shkollave profesionale të jetë i orientuar drejt sektorit.

Ali Dedolli, nga “Alna Bakery”, tha se në bashkëpunim me institucionet shtetërore po punohet drejt kualifikimit të nxënësve të arsimit profesional në furrat e bukës, me qëllim punësimin e tyre.

Z. Dedolli vlerëson se rritja e numrit të nxënësve që do të ndjekin shkollat profesionale, do të ndikonte në zgjedhjen e problemit të fuqisë punëtore.

Edhe Ibrahim Yzeiri, nga kompania “Someg”, tha se forcimi i arsimimit profesional do të ndikonte në zgjidhjen e problemit të mungesës së fuqisë punëtore.

Sipas tij, mungesa e fuqisë punëtore është krijuar nga emigracioni, dhe në këtë situatë, shteti duhet të ndërhyjë me më tepër politika sociale siç është dhënia e kredive të buta apo subvencionime për blerjen e apartamenteve të familjeve të reja, për të frenuar fenomenin e largimit.

Prodhuesit e këpucëve shkurtojnë punonjësit nga rënia e porosive

Përveç vështirësive për të gjetur punëtorë, prodhuesit e këpucëve në sektorin fason, prej muajit janar janë në vështirësi ekonomike për mbajtjen e tyre. Rënia e porosive në sektorin e prodhimit të këpucëve po shoqërohet me shkurtim të vendeve të punës për të punësuarit në fabrikat fason.

Florian Zekja nga “ProEksport Albania” pohon për “Monitor” se aktualisht porositë për fabrikat prodhuese të këpucëve kanë rënë 50% krahasuar me sezonin e kaluar.

Shkak i rënies së porosive prodhuese është dimri i butë i vitit të kaluar sipas z. Zekja, duke sjellë që pjesa dërrmuese e prodhimit të mbetet i magazinuar, i pashitur.

“Disa fabrika të prodhimit të këpucëve tashmë gjenden në vështirësi për mbajtjen e punonjësve. Sektori i manifakturës në këtë periudhë është duke prodhuar veshjet dhe këpucët e sezonit të dimrit.

Por porositë në fabrikat e këpucëve kanë rënë rreth 50% për shkak të mallit të pashitur të sezonit të kaluar nga mbajtja e butë e dimrit. Për këtë arsye janë disa fabrika që kanë nisur shkurtimin e punonjësve”, nënvizon z. Zekja.

Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, fabrikat fason në vend përveç marrjes së punonjësve të huaj, rritën ndjeshëm edhe pagat e punonjësve aktualë. Politika e rritjes së pagave duket e pamundur për të vijuar këtë vit.

Florian Zekja thotë se sektori gjendet në vështirësi të madhe nga rënia e Euros, që ul të ardhurat e eksportuesve kur konvertohen në monedhën e huaj. Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e grupit “Tekstile dhe këpucë” me bazë vjetore ranë për muajin gusht 2023 ranë me 18,6%.

Faktorë të tjerë që kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës së sektorit është edhe rritja e kostos nga shtimi i pagës minimale dhe kostoja për marrjen e punonjësve të huaj. Paga minimale për punonjësit e huaj është 450 dollarë në muaj.

Në sektor, sipas të dhënave të “Pro Eksport Albania”, për periudhën janar-qershor 2023 u punësuan 450 gra nga Nepali dhe Filipinet për plotësimin e mungesës me punëtorët vendas. Numri i të larguarve ishte 5%, ndërsa rendimenti i punës së tyre është më i ulët se i punonjësve vendas. /monitor

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME