Tragjedia që goditi Greqinë vijon të rritet. Sipas raportimeve të medieve greke të paktën 79 persona kanë vdekur. Po ashtu, më tepër se 104 të tjerë janë shpëtuar pasi një anije e mbushur me emigrantë u fundos. Në zonë kanë mbërritur ekspertë te kriminalistikës, mjekë ligjorë dhe një ekip i shërbimeve sekrete për të ndihmuar në kërkimet për gjetjen e trafikantëve.
Qeveria greke tha se kjo është një nga tragjeditë më të rënda me emigrantë dhe ka shpallur tre ditë zie. Anija u fundos rreth 80 km në jug-perëndim të Pylos, ndërkohë që autoritetet e rojës bregdetare thanë se ekuipazhi i saj kishte refuzuar ndihmën e ofruar nga ta.
Trupat e viktimave janë dërguar gjatë orëve të para të mëngjesit në portin e Kalamatës. Autoritetet po hetojnë edhe lidhur me numrin total të personave që ndodheshin në bord. Roja bregdetare thotë se anija është fundosur në thellësi mbi 3800-4000 metra.