Tregtarët e Vlorës protestojnë, Rama anulon vizitën

Kryeministri Edi Rama ka anuluar vizitën e parashikuar për në Vlorë. Anulimi i vizitës së tij vjen teksa tregtarët kanë dalë sot sërish në protestë para Teatrit “Petro Marko”, duke kundërshtuar vendimin e Këshillit Bashkiak për zhvendosjen e tyre nga zonat aktuale të tregtimit. Megjithatë, nuk dihen arsyet e këtij anulimi, por mësohet se gjithçka është raportuar në çastet e fundit.
Sipas vendimit të miratuar, tregtarët e fruta-perimeve do të zhvendosen në tregun e Çoles, ndërsa tregtarët industrialë në tregun e Shumicës në Jalli të Nartës. Gjatë protestës, tregtarët kanë deklaruar se ky vendim është marrë pa asnjë konsultim real me ta dhe pa u ofruar garanci për kushtet minimale të punës.
Gjithashtu protestuesit shprehen se zhvendosja në këto zona i largon nga qendra e qytetit dhe nga klientët e tyre, duke rrezikuar seriozisht mbijetesën ekonomike të dhjetëra familjeve. Sakaq, qytetarët kanë deklaruar se tregjet e reja nuk janë funksionale, nuk kanë infrastrukturë të përshtatshme dhe nuk ofrojnë siguri për vijimin normal të aktivitetit tregtar.








