Orkestra Kalush, grupi ukrainas që ka fituar garën për këngën më të mirë këtë vit në Eurovision, ka shitur trofeun për 900,000 dollarë amerikanë, për të mbledhur para për luftën në Ukrainë.
Mikrofoni i kristaltë është shitur në një ankand në Facebook, me qëllim të blerjes së dronëve për ushtrinë ukrainase.
Prezantuesi ukrainas, Serhiy Prytula, ka thënë se paratë e mbledhura nga shitja e trofeut do të përdoren për blerje të tre dronëve ukrainas PD-2, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.
Trofeu është shitur në ditën kur bendi është shfaqur në një koncert bamirësie në Berlin, me qëllim të mbledhjes së parave për kujdes shëndetësor dhe furnizime tjera.
Duke folur gjatë koncertit, anëtari i grupit, Oleh Psiuk ka bërë thirrje që njerëzit të mos mësohen me luftën, e cila ka lënë 4,031 njerëz të vdekur dhe mbi 4,730 të plagosur, sipas Kombeve të Bashkuara.
Numri i luftëtarëve të vdekur nuk dihet ende./ REL