Tragjedi në Kuman/ Burri vret gruan e më pas veten (foto e video)

Tragjedi në Roskovec: 80-vjeçari vret bashkëshorten dhe më pas veten, dyshime për konflikt familjar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Kuman të bashkisë Roskovec, ku një 80-vjeçar ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Sipas informacioneve paraprake, autori, Shefit Rrapaj, ka qëlluar me armë zjarri tip pushkë bashkëshorten e tij 75-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në vend. Pas krimit, ai ka qëlluar edhe veten, duke mbetur i vdekur.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, grupi hetimor dhe patrulla të qarkullimit rrugor, pasi banesa ku ndodhi krimi ndodhet pranë aksit nacional Fier–Berat. Zona u rrethua për të bërë të mundur hetimet dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Burime nga policia bëjnë me dije se çifti kishte nëntë fëmijë, gjashtë djem dhe tre vajza, të gjithë në emigracion. Mësohet se një prej djemve ishte kthyer në Shqipëri rreth tre muaj më parë.
Banorët e zonës tregojnë se çifti njihej si familje e qetë dhe pa probleme të dukshme. Megjithatë, sipas tyre, kohët e fundit në familje kishte pasur konflikte, të lidhura kryesisht me djalin e kthyer nga emigracioni, i cili dyshohet se kishte probleme me alkoolin dhe lojërat e fatit.
Të njëjtat burime thonë se më herët, rreth 2-3 muaj më parë, në familje kishte pasur një tjetër konflikt, për të cilin ishte dashur edhe ndërhyrja e policisë.
Dyshohet se debatet e vazhdueshme në familje, si dhe përplasjet mes babait dhe djalit, ku nëna mbante anën e këtij të fundit, mund të kenë çuar në agravimin e situatës, që përfundoi në tragjedinë e sotme.

Trupat e pajetë janë transportuar në morgun e spitalit të Fierit, ku do t’i nënshtrohen ekspertizës mjeko-ligjore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Policia vijon hetimet për të sqaruar dinamikën dhe shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur komunitetin lokal.
Djali i çiftit që ishte kthyer nga emigracioni eshte shoqëruar në polici e po merret në pyetje nga grupi hetimor. Mësohet se ai gjat marrjes në pyetje ka pohuar se nuk ka qënë në banesë kur ka ndodhur ngjarja. Gjithsesi ai do të merret disa herë në pyetje pëlr të ballafaquar dëshmitë e tij për të dal në një përfundimtare, pohuan burime policore nga Fieri.
Burime nga zona bëjnë me dije se në familje kanë ekzistuar konflikte të vazhdueshme ndër vite. Madje, vetëm katër ditë më parë, në banesën e tyre kishte ndërhyrë edhe policia për të sqaruar mosmarrëveshjet mes çiftit.
Gjithashtu, mësohet se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar t’i jepte fund jetës me armë zjarri./ ALB365











