Sherri që çoi në plagosjen e kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi dhe shoferit të tij Gazmir Bullari nuk ka zgjatur më shumë se disa minuta. Sipas autorit, Orgest Xhelili gjithçka ka nisur me fyerje nga të dyja palët. Në dosje janë renditur disa dëshmi që tregojnë se si sherri momental degradoi në dhunē.
“Në këtë kohë që unë isha duke shkuar për tek vjehrri, tek shkallët e lokalit që ka në përdorim shtetasi L.V., ndesha përballë me Kryetarin e Bashkisë së Divjakës, shtetasin Fredi Kokoneshi, i cili ishte së bashku me një shtetase të quajtur L.Gj. Aty unë sa u afrova i thashë “u tregove legen”. Aty Fredi me tha “kujt i thua ti kështu” dhe më kapi për një moment prej duarsh dhe më lëshoi”, – thuhet në dëshminë e Orges Xhelilit.
Prokuroria thotë se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës së Kokoneshit. Edhe dëshmia e dhënë nga Xhelili tregon për hatërmbetje të krijuara pikërisht prej punës.
“Unë në këtë moment i thashë që unë të ofendova më parë dhe ti më ofendove tani dhe e lëmë këtë muhabet me kaq, pasi jam dhe pak i fryrë nga të tjerët. Në lidhje me këtë shprehjen “jam pak i fryrë”, nënkuptoj faktin se duke qenë se shtetasi Fredi Kokoneshi me ka hequr nga puna, marrja e 60 metër katrore tokë të vjehrrit, prishi dhe një dyqan ku shiste bukë më parë, si dhe kërcënimi i vëllait të tij quajtur L.Kokoneshi në kohën pas zgjedhjeve, si dhe nga fakti se Fredi Kokoneshi, donte ta hiqte nga puna si mjeke bashkëshorten time, kishin krijuar një ambient ku shoqëria dhe njerëzit në lagje më thonin “pse nuk reagon me gjithë këto që ai po të bën”, – thuhet më tej në dëshmi.
Xhelili u arrestua disa orë pas ngjarjes. Ai qëndronte i fshehur në një banesë të braktisur pas vendit të krimit. Aty u gjet dhe mjeti prerës me njolla të gjakut.