Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeBOTAVeteranët e CIA/ Rusia rrezikon shpërbërjen për shkak të Ukrainës

Veteranët e CIA/ Rusia rrezikon shpërbërjen për shkak të Ukrainës

“Rusia do të shpërbëhet në një seri mini-shtetesh luftarake potencialisht të armatosura me fuqi bërthamore si rezultat i pushtimit katastrofik të Ukrainës nga Vladimir Putin”. Këtë analizë të bujshme e bën një ish-analist i CIA-s. Paul Goble thotë se vendi i madh është dobësuar fatalisht nga pamaturia e tiranit Putin dhe ai ka të ngjarë të vritet në prag të ngjarjeve të trazuara që do ta përfshijnë vendin vitet e ardhshme.

Putini nisi pushtimin e tij në Ukrainë në pritje të një fitoreje të shpejtë, por rezistenca heroike ukrainase ka bërë që trupat e tij të masakrohen dhe të shkatërrojnë prestigjin e tij. Numri i të vdekurve rusë po i afrohet 200 mijë sipas ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës, ndërsa janë humbur pajisje ushtarake me vlerë rreth 17 miliardë paund. Në vazhdën e humbjeve katastrofike, vëmendja tani është përqendruar në atë që ndodh me Rusinë dhe fatin e vetë Putinit.


Disa tani kanë filluar të parashikojnë se vendi mund të shpërbëhet për shkak të futjes në përdorim të trupave të pakicave etnike nga ana e Putinit. Për ta thuhet se ka një numër viktimash joproporcional në luftën e Ukrainës. Harta të shumta shumëngjyrëshe janë hartuar nga analistë të ndryshëm që ideojnë pamjen e ardhshme të Rusisë, në një vend të ndarë në copa. Goble është një ekspert i vjetër për Rusinë dhe më parë për Bashkimin Sovjetik. Ai ka punuar si analist për CIA-n dhe Departamentin e Shtetit të SHBA-së.

“Njerëzit tani janë shumë më të hapur ndaj mundësisë që Federata Ruse mund të mos jetë në gjendje të mbetet një e vetme. Ajo që ne ka të ngjarë të shohim është diçka ndryshe nga shpërbërja e perandorive të mëdha. Unë mendoj se do të jetë kaleidoskopike. Do të jetë kaotike. Ajo që shihni një vit nuk do të jetë e njëjtë pas dy vjetësh” – tha ai për “The Sun”.

Ai parashikon se bota po përballet me një tjetër “Jugosllavi” duke kujtuar shpërbërjen e përgjakshme të ish-shtetit ballkanik. Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në 1991 në 15 shtete të reja, ato u bindën të hiqnin dorë nga arsenali i madh i armëve bërthamore. Kjo nënkuptonte shmangien e një situate të tmerrshme në të cilën një mori kombesh papritmas fitojnë armë të shkatërrimit në masë. Por Goble paralajmëron se kjo mund të mos parandalohet dot tani. Kur bëhet fjalë për arsyet e një kolapsi, ai tërheq paralele me periudhat kur Rusia dhe Bashkimi Sovjetik iu përballën ndryshimeve të forta në 1916-ën dhe 1991. Në vitin 1916 Rusia kishte një ushtri të madhe që luftonte në Luftën e Parë Botërore. Opozita ishte në burg ose në mërgim.

“Të huajve u dukej se sundimi i familjes së saj mbretërore ishte i sigurt. Por një vit më pas Cari u rrëzua dhe u ekzekutua në Revolucionin Rus që themeloi Bashkimi Sovjetik. Në mënyrë të ngjashme, në vitin 1991 ai shtet dukej i sigurt, por brenda pak javësh u shpërbë dhe 15 vende të reja, të pavarura u shfaqën” – thotë ish-analisti i CIA. Goble argumenton se Rusia është në prag të ngjarjeve që mund të jenë edhe më dramatike.

“Unë do të argumentoja se kjo kohë do të jetë më e çrregullt, më e gjatë dhe shumë më e larmishme se ajo që kishim në 1991. Putin bëri një gabim fatal në pushtimin e tij të Ukrainës dhe mënyra se si ai e ka qeverisur Rusinë e ka bërë vendin thelbësisht të paqëndrueshëm. Lufta në Ukrainë ka kompromentuar aftësinë e Putinit për të drejtuar sërish vendin në mënyrë efektive. Ai e ka vënë në pikëpyetje aftësinë e një shteti me qendër në Moskë për të sunduar çdo territorin që ka aktualisht. Ne po flasim për vdekjen e shtetit rus dhe kaosin pasi ai shtet vdes, ndërsa pjesët e ndryshme përbërëse formohen dhe kërkojnë të zgjidhin gjërat” – thotë ai.

“Askush nuk e di se cilët do të jenë kufijtë. Askush nuk e di se cilat do të jenë marrëdhëniet politike. Askush nuk e di se kush do të formojë elitat politike. Mendoj se ky proces do të zgjasë me vite. Nuk mendoj se papritur do të ketë 47 shtete të reja që do t’i bashkohen Kombeve të Bashkuara” – thotë ai, por veçoi kozakët si një grup që mund të kërkonte të shkëputej nga Rusia. Sa për fatin e Putit në vetvete ai thotë se “ose do të vdesë pak para se kjo të ndodhë ose pak më pas”.

“Situata më e mundshme është që Putini [vritet] nga njerëz që e kuptojnë se ai po shkatërron vendin” – thotë ish-analisti i CIA.

The father of a Russian army ethnic minority soldier from Buryatia holds up a picture of his dead son

“Një faktor tjetër që mund të shënojë fundin e Putinit dhe shpërbërjen e Rusisë është kthimi i zemëruar i veteranëve të luftës në Ukrainë nga pakicat etnike” – shprehet Douglas London, një tjetër veteran i CIA-s. Shifrat tregojnë se vdekshmëria më e lartë e ushtarëve ishte në mesin e atyre që janë nga rajonet e varfra në Siberi dhe Lindjen e Largët Ruse.

“Rusët kanë vënë një numër të madh të pakicave etnike në terren. Putini është përpjekur të shmangë presionin mbi bazën e tij të mbështetjes, që është në të vërtetë komunitetet ruse më urbane dhe më të pasura si Moska dhe Shën Petersburgu” – thotë London. Ish-shefi i stacionit të CIA-s tha se mobilizimi i Rusisë është përqendruar tek ata, gjuha amtare e të cilëve nuk është ruse nga rajonet e largëta dhe rurale.

“Ka shumë komunitete të dëmtuara në Rusi që nuk po marrin burime sepse nuk janë të rëndësishme për Putinin. Për shkak se ato përdoren shpesh si “mish për top” kjo në të vërtetë mund të nxisë disa nga këto ndarje historike kur veteranët të kthehen në shtëpi” – thotë London. Ai tërhoqi një paralele me xhihadistët që luftuan në Afganistan kundër okupimit të vendit nga Bashkimi Sovjetik.

“Ata do të kthehen në shtëpi dhe do të shohin represionin me të cilin është përballur populli i tyre dhe si shumë luftëtarë të huaj të këtyre 3 dekadave të fundit do të vendosin të marrin kauzën e revolucionit. Ata do të sjellin në shtëpi ide radikale. Komunitetet që kanë mbetur pas do të shohin se djemtë, vëllezërit dhe baballarët e tyre janë përdorur nga Putini për një kauzë që kishte shumë pak të bënte me ta” – e mbyll ai. 

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME