AKTUALITETTOP-NEWS

Vjosa dhe Semani tërhiqen, qindra hektarë tokë nën ujë, dëmet për fermerët janë kolosale

Lumenjtë Vjosë dhe Seman po mbushin më shumë se 24 orë që janë rikthyer gradualisht në shtratin e tyre, por pas vetes kanë lënë qindra hektarë të dëmtuar. Sipërfaqe të tëra toke të mbjella me kultura bujqësore të dimrit dhe pemtari rezultojnë të përmbytura, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për dhjetëra familje fermere.

Sipas verifikimeve paraprake në terren, janë mbi 150 hektarë tokë brenda argjinaturave të këtyre dy lumenjve që kanë pësuar dëmtime nga vërshimet.

Zonat më të prekura janë fshatrat Kallëm, Arapaj, Suk1, Belinë, Jagodinë, Kashisht, Çerven dhe Ferras. Kanalet kulluese janë të mbushura dhe të pa pastruara prej vitesh, duke e rënduar ndjeshëm situatën dhe duke kërkuar një ndërhyrje urgjente.

Banorët tregojnë se këto toka ishin të mbjella me grurë, elb, jonxhë, pras, si dhe me sera me luleshtrydhe, ndërsa dëme të shumta ka pësuar edhe pemtaria me ullinj, portokalle, mandarina dhe limona. Të gjitha këto sipërfaqe janë marrë me ligjin 7501 dhe ndodhen brenda shtratit të lumenjve, çka i ka ekspozuar më shumë përmbytjeve.
“Dëmet janë të mëdha, nuk dimë si do t’ia dalim”, shprehen fermerët, të cilët ndihen të braktisur në një moment kur presin më shumë mbështetje.

Banorët shtojnë se deri tani asnjë përfaqësues i qarkut apo institucioneve përgjegjëse nuk ka ardhur për të parë e verifikuar situatën në terren.

Ata thonë se janë lodhur nga premtimet dhe se dëmshpërblimet, edhe në vitet e mëparshme, kanë qenë selektive dhe të padrejta.

“Nuk shpresojmë të marrim asgjë… çdo vit e njëjta histori”, thonë ata të zhgënjyer.

Në pritje të reagimit institucional, fshatrat e përmbytura vazhdojnë të përballen me pasojat e një situate që, sipas tyre, mund të ishte shmangur me mirëmbajtje të rregullt të kanaleve kulluese dhe argjinaturave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button