Vjosa drejt rrezikut, prurjet rriten ndjeshëm. (video)

Fier – Reshjet e shiut gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm kanë rritur ndjeshëm nivelin e prurjeve në lumin Vjosa, duke krijuar situatë alarmante përgjatë gjithë shtratit të saj. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile dhe kryebashkiakut Armando Subashi, në zonën e Memaliajt niveli i ujit po i afrohet Shkallës 6, ndërsa afrimi me Shkallën 7 do të thotë rrezik real për dalje të lumit nga shtrati.
Subashi bën të ditur se, nëse niveli rritet edhe më tej, rrezikohen seriozisht sipërfaqe të mbjella dhe banesa në zonat poshtë urës së Novoselës, përfshirë fshatrat Bishan, Martin dhe një pjesë të tokave të Darrëzezës. Ndërkohë, për pjesën e sipërme të Vjosës, fshatrat janë në kuotë më të lartë dhe të mbrojtur nga argjinaturat, megjithatë situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.
Keyebashkiaku Armando Subashi pohoi se :Kemi njoftuar banorët të marrin masat e nevojshme, të largojnë bagëtitë dhe të sigurojnë bazën ushqimore. Struktura e emergjencave është në gatishmëri të plotë dhe po mbledh informacion në çdo moment.
Shtabi i emergjencave vijon të jetë aktiv 24 orë, ndërsa u bën thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të ndjekin udhëzimet dhe të shmangin çdo lëvizje të panevojshme pranë lumit. Situata do të vijojë të përditësohet në kohë reale.














