Vjosa shkatërron bujqësinë në Frakull: Një muaj pas përmbytjes, fermerët të harruar nga shteti, pa verifikim dhe pa dëmshpërblim

Fier – Një muaj pas daljes nga shtrati të lumit Vjosa, situata në zonën e Frakullës vijon të jetë alarmante. Përmbytjet e fundit kanë lënë pas një panoramë të zymtë për dhjetëra familje fermere, të cilat jetesën e kanë të lidhur drejtpërdrejt me bujqësinë. Dëmet janë të mëdha, por ajo që e rëndon edhe më shumë situatën është mungesa totale e reagimit nga institucionet përgjegjëse.
Sera të tëra me luleshtrydhe janë shkatërruar, foragjeret janë përmbytur, ndërsa prodhimet e stinës janë zhdukur nga vërshimi i ujit. Zonat më të prekura janë fshatrat Kashisht dhe Sheqë Musalala, ku fermerët flasin për humbje të konsiderueshme ekonomike, të cilat rrezikojnë t’i çojnë drejt falimentimit.
Asnjë verifikim në terren, institucionet mungojnë




Sipas fermerëve, pavarësisht se ka kaluar një muaj nga përmbytja, asnjë grup verifikimi nga Njësia Administrative Fraull apo nga Drejtoria e Bujqësisë nuk ka shkuar në terren për të konstatuar dëmet.
Ata thonë se janë lënë në harresë totale, ndërsa premtimet për ndihmë kanë mbetur vetëm fjalë.
“Sa herë që përmbytemi, historia përsëritet. Nuk kemi marrë kurrë dëmshpërblim dhe askush nuk na ka ndihmuar realisht,” – shprehen fermerët, të zhgënjyer dhe të lodhur nga pritja.
Për shumë prej tyre, kjo situatë nuk është e re. Përmbytjet janë kthyer në një fenomen të përsëritur, ndërsa mungesa e reagimit institucional e ka bërë jetesën gjithnjë e më të pasigurt.





Sigurimi bujqësor, një derë e mbyllur
Një tjetër problem madhor që fermerët ngrenë është mungesa e sigurimit bujqësor. Ata tregojnë se kanë tentuar të sigurojnë serat dhe prodhimet pranë kompanive private të sigurimit, por janë përballur me refuzime të vazhdueshme.
Sipas tyre, asnjë kompani sigurimi nuk merr përsipër mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, si reshjet e dendura, era e fortë apo dalja nga shtrati e lumit Vjosa.
“Kemi shkuar disa herë për të siguruar bizneset tona, por nuk na siguron njeri. Askush nuk merr përsipër dëmet nga përmbytjet. Kur ndodh fatkeqësia, mbetemi pa asnjë lloj kompensimi,” – theksojnë fermerët.
Thirrje për ndërhyrje urgjente
Në një kohë kur përmbytjet po kthehen në një realitet të përvitshëm, fermerët e Frakullës kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse. Ata kërkojnë:
– verifikim të menjëhershëm të dëmeve në terren
– dëmshpërblim real dhe jo simbolik
– krijimin e skemave funksionale të sigurimit bujqësor
Pa këto masa, ata paralajmërojnë se bujqësia në këtë zonë rrezikon të shkojë drejt shuarjes, ndërsa dhjetëra familje do të mbeten pa burimin e vetëm të të ardhurave.











