Vllaznia ndalet sërish, Bylis rrëmben një pikë në “Loro Boriçi”

Vllaznia vazhdon të hasë vështirësi për t’u rikthyer te fitorja në Superiore. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini u ndal në barazimin 1-1 ndaj Bylisit, në takimin e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”.
Kuqeblutë kaluan të parët në avantazh falë një kryevepre nga Kallaku. Lojtari në minutën e 39 realizoi një goditje dënimi spektakolare nga distanca, një finalizim që kujtoi stilin “alla Messi”.
Reagimi i Bylisit dhe barazimi që ngrin “Loro Boriçin”
Në pjesën e dytë, trajneri Martini tentoi të ndryshojë rrjedhën e lojës me aktivizimin e Pusit dhe Muratajt, por pa arritur efektin e dëshiruar. Në minutën e 56, Ibrahim Mustaph barazoi shifrat për Bylisin, duke befasuar vendasit.
Minutat në vijim sollën disa raste nga të dyja skuadrat, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare.
Bylis ia doli që të merrte 1 pikë përballë Vllaznisë sot në “Loro Boriçi”, duke barazuar 1-1. Megjithatë, ndeshja s’u mbyll në mënyrën më të mirë. Kjo pasi trajneri i ballshiotëve, Mirel Josa, u ndëshkua me karton të kuq.
Kështu, Bylis mbetet pa trajner për javën e ardhshme të Superiores, atë të 17-tën. Ballshiotët do të presin në shtëpi ekipin e Elbasanit, por Josa s’do të jetë në pankinë për shkak të kartonit të kuq.
Pas 16 javësh kampionat, Vllaznia renditet në vendin e katërt me 26 pikë. Bylis mban vendin e tetë me 15 pikë.









