Rastet e mosdeklarimit të vlerave monetare u dyfishuan në vitin 2023 dhe po kështu edhe shumat financiare të sekuestruara, krahasuar me vitin paraardhës.
Sipas një raporti të Doganës Shqiptare, publikuar të martën, gjatë vitit 2023 janë evidentuar 73 raste të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi, nga të cilat 44 raste në hyrje dhe 29 raste në dalje të shtetit shqiptar, nga 37 raste të vitit 2022.
Në vitin 2023 sipas Doganës Shqiptare janë sekuestruar mbi 2 milionë euro, rreth 452 mijë paund, rreth 166 mijë dollarë dhe rreth 50 mijë franga zviceriane.
Ndërkohë në vitin 2022 janë sekuestruar në pikat kufitare rreth 1,3 milionë euro dhe rreth 165 mijë paund. Pikat kufitare kufitare ku janë evidentuar rastet më të shpeshta të mosdeklarimit të parave janë Durrësi, Rinasi, Kakavija dhe Morina.
Raporte të policisë shqiptare dhe policisë italiane flasin se Porti i Durrësit ka shërbyer në jo pak raste që grupe kriminale që veprojnë jashtë vendit të futin në Shqipëri sasi të mëdha parash përmes shoferëve të autobuzëve të udhëtarëve.
Sipas raportit “Grupet Operative Antitrafik gjatë vitit 2023 kanë kryer 1840 kontrolle në degë të ndryshme doganore kufitare të cilat kanë rezultuar me kapje të parasë ‘kesh’ të padeklaruar”.
Dogana Shqiptare thotë se në kuadër të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në sistemin doganor, kanë dërguar edhe 19 raste gjatë vitit 2023 pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare për hetim të mëtejshëm bazuar në treguesit e aktivitetit të dyshimtë.
Prej vitit 2008 ligji shqiptar parashikon se të gjithë personat që hyjnë ose dalin nga territori i Shqipërisë janë të detyruar të deklarojnë në doganat në kufi shumën mbi 10 mijë euro ose vlerën e njejte te saj në monedha të tjera. /VOA