Vota e diasporës, PS-PD drejt negociatave!
Vota e emigrantëve ende nuk është zyrtare. 3 janë çështjet që mund t’i detyrojnë dy partitë më të mëdha për të bashkuar votat, 2 vijnë si thirrje e KQZ-së dhe mbështeten nga Partia Socialiste, dhe e treta i përgjigjet një shqetësimi të demokratëve.
Së pari, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë lekë nga qeveria për të paguar plotësisht postën që do të transportojë votën e emigrantëve, edhe dërgimin edhe kthimin. Por 5 milionë eurot nuk mund të tenderohen, pa u fshirë nga Kodi Zgjedhor një fjali në nenin 25, e cila thotë se kostot për kthimin e votës paguhen nga zgjedhësi. (Neni 25)
Së dyti, KQZ ka kërkuar që të përshpejtohen afat e regjistrimit, në mënyrë që fleta e votimit të prodhohet më shpejt dhe tu jepet më shumë kohë emigrantëve për ta marrë e kthyer. Kjo tezë është mbështetur nga PS e cila ka artikuluar gatishmërinë që afatet të afrohen me 10 ditë. Partia Demokratike ka lënë një shteg të hapur, duke thënë se nëse zgjidhja e fundit, do të ishte ndërhyrja në Kod, ajo nuk do të rrezikonte dhe do të jepte votat.
PS është e gatshme që po në Kodin Zgjedhor, të bëjë rregullime, që kënaqin demokratët. Në këtë mënyrë, të lejohet që vota e emigrantëve të numërohet nga komisionerët e partive, njëjtë siç ndodh me votat në Shqipëri, ashtu siç PD e kërkon. Kodi aktualisht ka parashikuar që këto vota administrohen dhe vlerësohen nga KQZ, çfarë është kundërshtuar nga opozita. Ngelet për tu parë, nëse kjo ofertë e socialistëve do të ketë sukses tek demokratët, për të çliruar më shumë lehtësi për votën e diasporës, kur zgjedhjet janë 4 muaj larg. /Report Tv/