Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËXhafaj: Duhet sistem i ri elektoral

Xhafaj: Duhet sistem i ri elektoral

Kodi i ri elektoral pritet të jetë tema e nxehtë që do të dominojë diskursin politik me nisjen e sesionit të ri parlamentar, në një kohë kur partitë e vogla synojnë të realizojnë një referendum për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Lidhur me këto lëvizje për të përmirësuar përfaqësimin në politikë, ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj la të kuptohet në emisionin “Intervistë” me Merita Haklaj në A2CNN se fundi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 mund të jetë afër. Sipas Xhafajt ndryshimet demografike, emigrimi por edhe faktorë të tjerë të shtyjnë drejt gjykimit se vendi ka nevojë për një sistem të ri elektoral.

“Për një pjesë të amendamenteve të 2008 unë kam qenë kundër forcës sime politike. Dhe nuk jam përfshirë në ato amendamente. Por kanë kaluar shumë vite dhe kanë ndryshuar shumë gjëra, ndaj mendoj se vendi ka nevojë për një reformë kushtetuese dhe institucionale në raport me partitë politike. Që do të thotë që ka nevojë për ta riparë sistemin elektoral që kemi edhe për shkak të hartës dhe ndryshimeve demografike që ka pësuar vendi. Ka nevojë për të ndryshuar ligjin për partitë politike dhe parashikimet kushtetuese e ligjore që lidhen me mandatet politike. Pjesë e kësaj mund të jetë dhe sistemi elektoral”, tha Xhafaj.

Më tej deputeti socialist nënvizoi se çdo ndryshim duhet përshtatur me kohën dhe kontekstin politik ku ndodhet vendi, ndaj palët duhet të jenë shumë të kujdesshme me kodin e ri zgjedhor.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse një zgjidhje duhet dhënë në kontekstin e momentit kur zbatohet. Nëse do ta bënim një sistem mazhoritar do kishte problematika lidhur me barazinë gjinore, me futjen e të rinjve në politikë etj… Nëse do bënim një sistem të pastër proporcional do ti jepte më pak mundësi individëve që vijnë, ose mundësi që të thithësh disa vlera që janë të nevojshme për shkak të emigrimit. Do kishte pasoja edhe për momentin sepse disa me anë të fuqisë financiare që kanë mund ta ndikonin votën me sistemin proporcional të pastër. Po të analizojmë me kujdes rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe të mëparshme, kuptojmë se rezultati ka të bëjë me këtë lloj ndikimi”, u shpreh ai.

Xhafaj gjithashtu nënvizoi se nuk pajtohet me ata që thonë se po s’pate lekë dhe po s’u lidhe me të fortët nuk bëhesh dot deputet, duke treguar shembullin personal që arriti të thyejë herësin në Tiranë, edhe pse kryeministri Rama e renditi të 23-n në listën e kryeqytetit.

“Unë marrë shembullin tim, kurrë në jetën time nuk kam paguar 1 lek për votë. Apo të kem marrë vota në këmbim të një interesi të caktuar. Apo njerëz të fortë që kanë qenë në krah tim për të më siguruar vota. Edhe në këto zgjedhje, ku edhe vetë ata që më çuan te 23 nuk e besonin që, dhe më bën një nder të madh pasi provova veten se ku isha”, tha Xhafaj.

Por, ai pranoi se është koha që aktorët politikë të bëjnë një analizë të gjatë për të kuptuar se çfarë është bërë mirë dhe çfarë keq, në mënyrë që sistemi i ri elektoral të jetë i duhuri. 

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME