KULTURË

Xhuliano Brisku: “Kopshtet e pavarura të lumturisë”, reflektim mbi botën moderne

“Kopshtet e pavarura të lumturisë” një tragjikomedi moderne për njeriun e kohës sonë vjen në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Aktorin Xhuliano Brisku e kemi parë me role në shfaqje të ndryshme teatrore, në drama dhe komedi në skena, por në këtë vepër të autorit Albri Brahusha me regji nga Hervin Çuli ai luan dy personazhe.

Në intervistën për gazetën “SOT” Xhuliano Brisku, një nga aktorët e talentuar të teatrit tonë tregon për punën në këtë projekt teatror, ku për të ishte hera e parë që bashkëpunonte me teatrin e Shkodrës. Sa i takon shfaqjes teatrore dhe asaj që  përcjell te publiku, aktori Xhuliano Brisku thotë  se përcjell mesazhe të forta për shoqërinë tonë. Por ajo që e ka magjepsur më shumë si aktor, ishte gjetja brilante e veprës së Albri Brahushës, një realitet absurd, ku njerëzit nuk mbyllin më paratë në banka, por ëndrrat, gjumin, shpresën dhe jetën. Sipas tij, një ide e jashtëzakonshme që reflekton mbi botën moderne, e cila po bëhet gjithnjë e më robotike, ndërsa njerëzit po harrojnë vetveten.

“Kopshtet e pavarura të lumturisë”, një tragjikomedi e autorit Albri Brahusha që u nda nga jeta në shkurt të vitit 2024, u vu në skenë këtë tetor nga regjisori Hervin Çuli. Aktori Xhuliano Brisku, i cili me Hervin Çulin ka qenë më parë në të njëjtat projekte si aktor, kjo ishte hera e parë që ai punonte me të në rolin e regjisorit, ndërsa e vlerëson si një profesionist të vërtetë në regji.

“Kopshtet e pavarura të lumturisë” shënoi premierën në muaji tetor në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretimet e aktorëve Besmir Bitraku, Dajana Nenaj, Xhuliano Brisku dhe Fritz Selmanit u pritën me duartrokitje nga publiku. Pas Shkodrës për tre mbrëmje me radhë shfaqja vjen për publikun në Tiranë. “Kopshtet e pavarura të lumturisë” ngre pyetje të rëndësishme rreth ekzistencës së njeriut në një botë gjithnjë e më të teknologjizuar. Një tragjikomedi për kohën tonë, ku gjithçka është e programuar: dashuria, gjumi… madje edhe ëndrrat. Në një botë të pushtuar nga teknologjia, ku ka mbetur vend për njeriun? Në datat 10, 11, 12 nëntor në mbrëmje shfaqja teatrore do të jetë në Teatrin Kombëtar te “ArTurbina”, Tiranë.

– Shfaqja teatrore “Kopshtet e pavarura të lumturisë” vepër e autorit Albri Brahusha dhe regjisor Hervin Çuli vjen në Tiranë. Pas premierës në skenën e teatrit “Migjeni” të qytetit Shkodrës, që u mirëprit nga publiku, këtë herë me këtë shfaqje ju si aktorë do të jeni në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Katër aktorë në këtë vepër me regji nga regjisori i njohur Hervin Çuli. Për ju si aktor ishte hera e parë, që bashkëpunonit me teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Çfarë mund të thoni për këtë projekt në Shkodër dhe mikpritjen e spektatorit?

“Kopshtet e pavarura të lumturisë” është një dramë e shkruar nga Albri Brausha, një djalë nga Shkodra, i cili ka edhe vepra të tjera në sirtarin e tij. Gjatë tre ditëve që kalova në Shkodër si aktor, u ndjeva jashtëzakonisht mirë. Ishte hera e parë që bashkëpunoja me teatrin “Migjeni” të Shkodrës në një projekt të këtij qyteti, dhe u ndjeva i mirëpritur nga të gjithë, mbi të gjitha nga spektatori.

– Kjo vepër përcjell mesazhe të forta dhe aktuale për shoqërinë shqiptare në tërësi. Si aktor në shfaqje, çfarë mund të thoni më shumë mbi këtë tragjikomedi moderne për njeriun e kohës sonë?

Kjo dramë shqipe më solli një ndjesi të veçantë përsa i përket lojës aktoriale. Në këtë shfaqje luaja dy personazhe, të cilët shpesh i ndërroja në mënyrë të menjëhershme gjatë skenave. Ajo që më magjepsi më shumë ishte gjetja brilante e veprës së Albrit, një realitet absurd ku njerëzit nuk mbyllin më paratë në banka, por ëndrrat, gjumin, shpresën dhe jetën. Një ide e jashtëzakonshme që reflekton mbi botën moderne, e cila po bëhet gjithnjë e më robotike, ndërsa njerëzit po harrojnë vetveten.

-Ju si aktor keni role të ndryshme në skena, në drama dhe komedi, keni punuar me regjisorë shqiptarë dhe të huaj. Por këtë herë çfarë patë te bashkëpunimi me këtë shfaqje teatrore me regjisorin Hervin Çuli, një nga emrat e vlerësuar të teatrit tonë, puna rreth shfaqjes nën drejtimin e tij?

Me regjisorin Hervin Çuli kam qenë shpesh në të njëjtat projekte si aktor, por kjo ishte hera e parë që punoja me të në rolin e regjisorit. Ishte një eksperiencë jashtëzakonisht e mirë. Ai është një profesionist i vërtetë, dhe ishte kënaqësi të ndiqje udhëzimet e tij. Shfaqja u prit shumë mirë nga publiku shkodran dhe tani mezi presim të dalim po aq mirë edhe në Teatrin Kombëtar, në datat 10, 11 dhe 12 nëntor. Gjithashtu, bashkë me miqtë dhe kolegët e mi të mrekullueshëm në skenë Besmir Bitraku, Dajana Nenaj dhe Fritz Selmani  krijuam një atmosferë pune shumë të ngrohtë, gjë që është po aq e rëndësishme sa vetë puna.

-Më herët ju si aktor për këtë shfaqje në teatrin “Migjeni” ndër të tjera keni shprehur se: “Jam tifoz i veprave shqiptare dhe gjithmonë i mbështes ato”. Veprat shqiptare në skenat tona teatrore çfarë i përcjellin publikut, sa bëhet sot promovimi i dramës shqipe, sa hapësirë kanë në skenat tona?

Unë jam vërtet një tifoz i veprave shqiptare. Regjinë time të parë e kam bërë me një dramë shqipe, dhe kam kuptuar se drama shqiptare ekziston, jeton dhe është shumë e mirë. Mjafton ta hulumtosh. Besoj se ka shumë drama e vepra të shkëlqyera shqiptare që mund dhe duhen zhvilluar. Edhe eksperiencat e mia si aktor në këto projekte kanë qenë po aq të suksesshme sa ato me dramat e huaja. Drama shqiptare duhet të marrë më shumë vëmendje dhe të shkojë aty ku e meriton.

– Ju ndërsa ishit në skenë me shfaqjen teatrore “Kopshtet e pavarura të lumturisë”, por vijoni punën edhe me të tjera projekte. Një sezon artistik teatror ku për publikun jeni me role në shfaqje të ndryshme. Çfarë mund të thoni për projektin tuaj të radhës, shfaqja që do jeni në skenë?

Projekti im i radhës do të vijë shumë shpejt, një surprizë për të gjithë artdashësit e teatrit. Bëhet fjalë për një teatër kabare, nën regjinë e Driada Dervishit, që premton një eksperiencë ndryshe dhe plot energji. Ndërkohë, në fund të këtij viti, më pret një sfidë e madhe jetësore dhe profesionale: në qytetin e Korçës, gjatë muajit dhjetor, do të realizojmë një muzikal, ku këtë herë do të jem në rolin e regjisorit. Një hap i ri, një sfidë e bukur dhe një rrugëtim që mezi pres ta ndaj me publikun.

Intervistoi: Julia Vrapi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button