Sunday, June 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËZGJEDHJET: TË RRUHESH A TË MOS RRUHESH

ZGJEDHJET: TË RRUHESH A TË MOS RRUHESH

Ka një moment kur njeriu, kryesisht burrat, shohin veten në pasqyrë në mëngjes, në dilemën nëse kjo është një ditë kur është mirë të rruhesh apo të ruhesh. Ky proces i pashmangshëm i përballjes me pasqyrën, ka dhe një moment kur ka rrezik të shohësh thellë brenda vetes. Këtu më vijnë ndër mend disa emra, dhe jam kurioz të di, a kanë kurajë të shohin në sy veten, dhe si ia dalin?

Dita e zgjedhjeve ka një dilemë të tillë. Ka arsye pse duhet të shqetësohemi, për të mos thënë të trembemi nga rezultati i këtyre zgjedhjeve; sikurse ka dhe një qasje të kundërt.

Versioni numër 1. Të rruhesh.

Në planin indivdual, ka një shqetësim legjitim për fatin, integritetin dhe shëndetin mendor të atyre që votojnë humbësin. Fituesi, sidomos nëse riafirmohet, aq më keq për të disatën herë, do të shkelë me çizme këdo person të perceptuar si kundërshtar, armik, rebel. Arroganca e të fortit, që i merr zgjedhjet me çfarëdo forme, gjithmonë do të tentojë tek asgjësimi total i kundërshtarit: ty që guxove të më dalësh kundër unë të lë pa bukë, pa punë, pa pronë. Nuk thuhet më “vdeksh”, por “do të të vdes”.

Frika individuale është trupëzuar në shumë qytetarë, sidomos në qytezat e bashkitë e vogla.

Në planin shoqëror, dikush rruhet nga meraku se çfarë modeli politik do të ketë shoqëria shqiptare pas zgjedhjeve të dominuara me gangsterë, pas manipulimit të thellë mediatik përmes televizioneve të blera e gazetarëve vasalë, pas shitjes dhe blerjes së votës. A do jemi më një kuazi- demokraci, duke iu bashkuar përfundimisht shteteve ku bëhen zgjedhje, por fituesi nuk del nga vota e lirë.

Ky merak politik – rënia në një model që i heq defacto të vetmin pushtet qytetarit në një demokraci liberale, atë zgjedhjes së lirë – mund të mos i thotë gjë shumicës së shqiptarëve që duket se jetojnë në kushte laboratorike, e deri diku të lumtur për të qenë një eksperiment social e të cilët mund të mos rruhen nga ky shqetësim.

Shqetësimi për zgjedhjet mund të jetë edhe ekzistencial. Ajri i Tiranës u vërtetua në mënyrë laboratorike që është kancerogjen dhe merr jetë më shumë se kovidi. Situata me ujin është po aq e rëndë, por për qentë e Pavllovit kjo nuk ka shumë rëndësi. Me të rënë zilja, ata do shkojnë tek tasi i ushqimit dhe nuk pritet që këto investigime të ndryshojnë sjelljen e tyre laboratorike. Qentë, historikisht rruhen vetëm nga pronari.

Këndi 2. Zonat, ku rruhesh nga të fortët

Gazetarët e terrenit, që kanë fatin të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me realitetin rural, qytezor e periferik, dmth zona ku mund të kenë vënë re një fenomen të veçantë. Territori i Shqipërisë, përjashto bulevardin dhe unazën e vogël të Tiranës, është i ndarë në zona kontrolli të familjeve a fiseve mafioze. Ky është realitet që dihet, por ajo që vlen të analizohet është kodi i ri moral që po lind në këto grupe pushteti, që unë për arsye thjeshtimi po i quaj “të fortët”. Tek këta njerëz vlerat morale janë të përmbysura në krahasim me ne të tjerët që e dimë veten pjesë të shoqërisë perëndimore.

Tek të fortët, një gjykatëse e korruptuar e që i liron nga burgu në këmbim të pagesës, është zonjë grua; shefi i policisë që i lejon të kryejnë të pashqetësuar aktivitetin mafioz është burrë i mirë; të vrasësh është biznes; të përdhunosh është burrëri; të shkelësh me këmbë është drejtësi; të manipulosh vota për t’ia bërë dhuratë 100% fitoren ‘bablokut’ është respekt; të shkelësh çdo ligj, është normalitet; praktikisht e mira dhe e keqja në kuptimin e demokracisë kristiane është kthyer kokëposhtë. Kjo nuk i pengon të fortët të shkojnë në Kishë apo xhami, apo të duan regjim pa viza me BE-në, thjesht ata po modifikojnë komunitetet e periferisë së Shqipërisë sipas modelit e normave të tyre të reja.

Kjo përmbysje vlerash është reale, këto norma të reja ata i besojnë vërtet dhe, ne të tjerët, që duam rend e ligj sipas konceptit të demokracive liberale, ata na shohin si alienë, ose në rastin më dashamirës si budallenj.

Nëse sistemi i tyre i vlerave do të funksiononte, pra, nëse të fortët do arrinin të ndërtonin një shoqëri funksionale e të përparuar, nuk do kishim nevojë të rruheshim prej tyre.

Problemi është që ajo formë shoqërore nuk është e qendrueshme dhe destinacioni final i saj është një shoqëri si e talebanëve, minus (ndoshta) ekstremizmin fetar.

Ky model, këto norma të përmbysura, nuk janë më vetëm fenomen i disa familjeve të fortësh. Tashmë, komunitetet përreth tyre, ku ata mbretërojnë, bëjnë para e marrin vota, po përqafojnë këtë moral të ri, ku e keqja është e mirë, e ku e mira është e keqe. Në këtë moral të ri, nuk ka më as brerje ndërgjegjeje.

Shpresa që të fortët të mund të ndreqen përmes normave fetare ka rënë. Ata, falë këtij morali të ri të përmbysur ia dalin të jenë dhe besimtarë, dhe kriminelë, qetësisht.

Pamja 3. Po nuk u rruajtëm sot, nesër do të jetë vonë

Ky fenomen, së bashku me shkatërrimin pa kthim të mjedisit e të trashëgimive kulturore, është produkt i drejtpërdrejtë i qeverisjes së kryeministrit aktual.

Të fortët kanë ekzistuar gjithmonë, por, vetëm në vitet e z. Rama ata janë shndërruar në heronj, në modele shoqërore për t’u adhuruar e për t’u ndjekur, në shembuj të suksesit e sesi duhet arrirë ky sukses. Vetëm në periudhën e z. Rama, të fortët nuk u ndjenë si keqbërës, por si protagonistë; jo si të kërkuar nga drejtësia, por si burim drejtësie, si financues të legjislativit dhe si prodhues të një ligjshmërie të re. As Eskobari në periudhën e vet më të artë nuk arriti të bëhej deputet në Kolumbi. Në Shqipërinë e z. Rama, ai do mundej. Ai, mundet.

Sot, korrupsioni është vlerë, dhe shqetësimi i shqiptarëve të rinj të modeluar sipas moralit të ri nuk është ‘pse ka korrupsion’, por ‘pse nuk më jepet edhe mua mundësia të korruptohem’. Të jesh funksionar i shtetit e të mos vjedhësh, është paaftësi. Pak nga pak administrata po njësohet në moralin e ri. Do duhet kohë, por, gjasat janë që nën modelin Rama krejt administrata të mund të transplantojnë plotësisht moralin e ri të përmbysur, ta brendësojnë e ta besojnë totalisht atë. E keqja që ligjërohet, promovohet e duartrokitet.

Shqipëria është shoqëri vertikale. Çfarë lart, edhe poshtë.

Ky moral i ri, ku e keqja është e mirë dhe e mira e keqe, ndoshta nuk lindi, por po gjallon e po bëhet mainstream në vitet e z. Rama.

Dy kategoritë e shqiptarëve, ata që shkojnë për të punuar infermierë në Gjermani dhe ata që shkojnë për të punuar në shtëpi bari në Britani, janë shembulli më i qartë i dy Shqipërive me dy morale të ndryshme. Këta të Britanisë, po shkojnë që të bëjnë para të shpejtë e të kthehen si heronj, si modele të duartrokitur, si investitorë strategjikë, pa asnjë brerje ndërgjegjeje. Shumica e tyre nuk janë pjesë e fiseve mafioze, por janë nënprodukt i moralit të ri të përmbysur.

Ky moral i ri, besoj se është dëmi më i madh, afatgjatë, që modeli Rama i ka bërë Shqipërisë.

Z. Rama një ditë do vdesë, politikisht e fizikisht, si të gjithë ne.

Historia me Enver Hoxhën por dhe me satrapë të tjerë na ka mësuar që shqiptarët kanë tendencën që liderëve të fortë t’u bëjnë shurrën te varri, por dëmi që Hoxha i bëri shoqërisë shqiptare me “njeriun e ri” nuk po rekuperohet dot edhe pas 33 vitesh.

Fundi politik i z. Rama dhe trashëgimia e tij politike, nuk besoj se ka nevojë për imagjinatë sesi do jetë, por e ardhmja e moralitetit të ri që ai po na lë pas, është ankthioze. Është një tjetër “njeri i ri”, për të cilin ai çuditërisht duket që ka afeksion personal.

Personalisht, ky është motivimi real im për të dalë në votime të dielën.

RR. R., rr. r., Kulla e Rrojës. Kulla e Rojës.

Baticë- zbatica e R-së dhe RR-së në shqipen e internetit, portaleve e rrjeteve sociale, është një nga përdhunimet e lehta që i bëjmë shqipes. Vazhdimisht shoh me acarim sesi folja “marr, merr” shndërrohet në “morra, morre, morri”. (E kryera e thjeshtë e “marr” është: mora, more, mori, morëm, morët, morën)”.

Më sipër unë kam folur për “ruajtjen” e jo për “rruajtjen”, por, nevoja për të tërhequr vëmendjen në zhurmën e hapësirës virtuale shqiptare më shtyu të bëj një manipulim të patëkeq, thënë ndryshe pehlivanllëk gjuhësor, duke përdorur invazionin e RR-së.

E rëndësishme është që të dielën, është dita ku duhet të ruajmë Shqipërinë e 50 viteve që vijnë. ©lapsi.al

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME