SPORT

Zgjohet pas dy muajsh në koma ‘ylli’ libanez i futbollit

Dy muaj pas qëndrimit në një gjendjeje kome të induktuar, për shkak të një dëmtimi të rëndë në kokë gjatë një sulmi ajror izraelit, ‘ylli’ libanez i futbollit, Celine Haidar, më në fund është zgjuar.

Babai i saj, Abbas Haidar, konfirmoi se Celine u zgjua disa ditë më parë, por shtoi se ajo “ende nuk mund të flasë dhe vazhdon të jetë nën trajtim intensiv.”

“Falë mëshirës së Zotit, ajo është zgjuar nga koma, por mbetet në kujdesin intensiv sepse ende nuk mund të flasë dhe i nevojitet një ventilator për të marrë frymë siç duhet,” tha Haidar për Arab News. Ai shtoi se Celine ka qenë në gjendje të njohë familjen dhe komunikon me ta përmes shënimeve të shkruara.

19-vjeçarja u godit nga një predhë izraelite gjatë një sulmi në lagjen Chiyah, në Bejrut, më 16 nëntor 2024. Goditja i shkaktoi një dëmtim të rëndë në kokë, që detyrojë mjekët ta vendosnin në koma të induktuar.

Celine ka përfaqësuar Libanin si pjesë e ekipit kombëtar për femra U-19 që fitoi Kupën e Azisë Perëndimore në 2022. Ajo gjithashtu drejtoi ekipin e femrave të Beirut Football Academy (BFA) në një titull historik të ligës në sezonin 2023-24. Trajneri i saj, Samer Barbary, shpreson që ajo të kthehet në fushë së shpejti.

“Kur e pyeta nëse dëshiron ende të luajë futboll, ajo shtrëngoi dorën time dhe lëvizi këmbën e djathtë, duke treguar qartë dëshirën për ta bërë këtë,” tha Barbary.

Konflikti mes Hezbollahut dhe Izraelit shpërtheu sërish më 8 tetor 2023 dhe eskaloi deri në tetor 2024, duke shkaktuar viktima dhe zhvendosje masive në Liban. Marrëveshja e armëpushimit e nëntorit 2024 vazhdon të mbahet, por situata mbetet e pasigurt, sidomos në Gaza, ku dhuna ende vazhdon.

Rasti i Haidar ka shkaktuar zemërim të gjerë, duke theksuar ndikimin tragjik njerëzor të luftërave në Lindjen e Mesme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button