Lushnje – Një zjarr i rënë mbrëmjen e së hënës në kodrat mbi fshatin Lekaj të njësisë administrative Hysgjokaj ka djegur deri në orën 22 rreth 10 hektarë me shkurre e pisha.
Terreni i vështirë kodrinor dhe me mungesë rrugësh për të shkuar mjetet zjarrfikëse e bën edhe më të vështirë situatën.
Zjarrfikësit e Lushnjes, punonjësit e policisë dhe punonjës të strukturave mbështetëse të bashkisë kanë shkuar për të izoluar vatrën e zjarrit me mjete rrethanore dhe me pompa shpine.
Në ndihmë të tyre kanë ardhur dhe zjarrfikës nga Fieri dhe Patosi por vështirësia mbetet për shkak të terrenit.
Zjarri vijon të djegë sipërfaqe me bar të thatë e shkurre. Fatmirësisht nuk rrezikohet asnjë banesë pasi të zjarri është larg tyre. Për fat, nata është e qetë dhe nuk fryn erë çka do të vështirësonte situatën.