1.5 kilometra harresë dhe baltë: Varibopi shpërthen në revoltë, banorët, bllokim të autostradës Levan– Tepelenë

Cakran – Një segment rrugor prej rreth 1.5 kilometrash, i pashtruar prej vitesh në lagjen “Lula” të fshatit Varibop, është kthyer në simbol të harresës institucionale dhe mashtrimit elektoral. Rreth 100 familje jetojnë çdo ditë mes baltës, gropave dhe premtimeve të pambajtura, ndërsa durimi i tyre ka arritur në kufijtë maksimalë.
Banorët tregojnë se kjo rrugë është problem serioz jo vetëm për lëvizjen, por edhe për jetën sociale dhe arsimore të komunitetit. Rreth 20 fëmijë e kanë të vështirë të shkojnë çdo ditë në shkollë, sidomos gjatë reshjeve, pasi rruga kthehet në baltë dhe bëhet pothuajse e pakalueshme. Prindërit shprehen se fëmijët shpesh përballen edhe me tallje nga bashkëmoshatarët për shkak të rrobave të ndotura.
Situata rëndohet edhe më shumë nga dëmet ekonomike. Në këtë segment qarkullojnë rreth 60 automjete, të cilat pësojnë vazhdimisht dëmtime në amortizatorë, goma dhe pjesë të tjera, duke i detyruar familjet të përballojnë shpenzime të shtuara për riparime.







Banorët thonë se janë ngritur disa herë në protesta, si gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit, ashtu edhe gjatë vitit 2026, por pa asnjë reagim konkret nga institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, Bashkia u kishte premtuar shtrimin e rrugës përmes planit të investimeve të vitit 2025, por ky premtim ka mbetur vetëm në dokumente dhe deklarata publike.
“Premtime kemi dëgjuar vetëm gjatë fushatave. Pasi mbarojnë zgjedhjet, askush nuk kujtohet më për ne”, shprehen banorët, të cilët e konsiderojnë situatën një tallje të hapur me komunitetin.








Të zhgënjyer dhe të lënë pas dore, ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestave. Nëse nuk merren masa konkrete për shtrimin e këtij segmenti rrugor, banorët thonë se janë të gatshëm të dalin në autostradën Levan–Tepelenë dhe të bllokojnë qarkullimin, si formë presioni ndaj institucioneve.
Rruga e lagjes Lulajt në Varibop mbetet një tjetër shembull se si zonat rurale vazhdojnë të trajtohen si periferia e periferive, ndërsa problemet reale të banorëve zgjidhen vetëm me fjalë, jo me asfalt./ ALB365/ Xhemil Beharaj/









