104 të akuzuar në Belgjikë/ Furnizonin me kokαinë shqiptarët e “Kompania Bello”
Trafik në shkallë të gjerë të kokαinës, korrupsion, pastrim të parave dhe dhunë. Janë këto disa nga akuzat që rëndojnë mbi një klani kriminal turko-asirian të quajtur vetëm “Y.”, i konsideruar si një nga familjet më të mëdha të krimit në Antwerp të Belgjikës.
Mediat vendase që kanë publikuar detaje thonë se kjo dosje mund të “lexohet si një roman me mafiozë”.
Në mega-procesin që nisi këtë 6 janar kanë dalë në gjyq 104 të pandehur, mes tyre klientë shqiptarë, oficerë policie dhe madje edhe një prift. Hetimet treguan ngritjen dhe rënien e një familjeje të trafikut të drogës me tentakula që mbërrinin deri te efektivë policie.
Familjet e ardhura nga Turqia në Belgjikë me procedurë azili kishin arritur të fitonin 61 milionë euro nga aktivitetet e tyre kriminale. Kreu i grupit është identifkuar Bayram Yaramis, ndaj të cilit kërkohet dënimi me 15 vjet burg, ndodhet në arrati dhe thuhet se jeton në Turqi.
Ky grup sipas mediave belge kryente operacione edhe për “Kompania Bello”, organizatën e trafikut të drogës së shqiptarit Denis Matoshi (foto poshtë).
Sipas gjykatës së Antuerpit, prokuroria shpenzoi jo më pak se 26 370 orë pune për të hetuar klanin. Kjo organizatë bëri marrëveshje me njerëz që e paguanin mjaftueshëm për të sjellë një konteiner nga Amerika e Jugut.
Gjykata beson se klani kishte krijuar një monopol në transportin e drogës nëpërmjet kalatës 1700 në port. “Kjo funksionoi për një kohë të gjatë,” – tha një burim i informuar. “Kjo, derisa dogana zbuloi 1.3 ton kokainë dhe disa figura në zonë humbën shumë para. Për këtë ata u zemëruan shumë.”
Fikret Y. humbi një çerek ton kokainë thjesht duke i dërguar një mesazh vetes për të mbajtur mend numrin e konteinerit. Hetuesit po e përgjonin ndaj mundën të kapnin lehtësisht 236 kg kokainë të tij. ©LAPSI.al