AKTUALITETTOP-NEWS

15 gratë më të kërkuara nga drejtësia shqiptare

Në botën e errët të krimit shqiptar, protagonistë nuk janë vetëm burrat, por në 36 vite demokraci janë përfshirë edhe gratë, që në disa raste u bënë pjesë e ngjarjeve të rënda. Emisioni “Dritëhije” sjell rastet e 15 grave më të kërkuara nga policia të implikuara në vrasje, trafik droge, mashtrime në shuma të mëdha parash dhe trafik prostitucioni.

Shpesh, kudo në botë, policitë hasin vështirësi zbulimi në rastet kur organizata apo grupe kriminale rekrutojnë gra për t’i përfshirë në krime të rënda dhe, veçanërisht, në trafikun e drogës apo prostitucionit.

Deri më tani vendi ynë nuk ka pasur një “Griselda Blanco” që të konsiderohet si “bosja e krimit”, por nuk janë të pakta rastet kur ato arrijnë të futen në listën e të shumëkërkuarve, si të përfshira në vrasje të organizuara, trafik droge dhe prostitucioni.

Disa janë zbuluar, por të tjera, edhe pse mbajnë mbi supe dënime të rënda, kanë mundur të arratisen. Në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë edhe gra të dënuara, por që kanë mundur deri më tani t’u shmangen autoriteteve, vendase dhe të huaja.

Akuzat që rëndojnë mbi to janë nga më të ndryshmet, që nga vrasjet, trafiku i drogës, shfrytëzimi i prostitucionit dhe mashtrimet. Ka edhe shumë të tjera që, fatkeqësisht, kanë marrë damkën e “vrasëses”, por në rrethana tërësisht të tjera, herë për vetëmbrojtje dhe herë në formë hakmarrjeje, duke mbajtur mbi supe peshën e rëndë të marrjes së një jete. Një ndër to është “Shota” nga Tropoja.

ZYLFIE HAKLAJ, “SHOTA E HAKLAJVE”

Zylfie Haklaj njihet më shumë si “Shota e Haklajve”. 63-vjeçarja, e dënuar me 25 vjet burgim, për vrasje në rrethana cilësuese, mban vendin e parë në listën e Policisë së Shtetit si gruaja më e kërkuar. Por kush është Zylfie Haklaj?

Në Tropojën e viteve 1997–2002 vrasjet ishin kthyer në “rutinë” të frikshme. Personazhet kishin emra dhe ndër më të njohurit ishte ai i familjes Haklaj, nga fshati Kërrnajë. Pas ekzekutimit të katër vëllezërve, Zylfie Haklaj, sipas dosjes së prokurorisë, mëngjesin e 2 prillit të vitit 2002, do të ekzekutonte në mes të Bajram Currit Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin. Familja Haklaj dhe Lumneshi fillimisht kishin pasur marrëdhënie të mira. Por, po sipas dosjes, gjërat ndryshuan kur Haklajt mësuan nga informatorët se Rasim Lumneshi ishte rreshtuar me kundërshtarët, madje edhe dyshonin se ai ishte truri i disa prej ngjarjeve më të rënda ndaj tyre.

Sipas versionit që prokuroria ka paraqitur në gjykatë, rezulton se Zylfie Haklaj, motra e vëllezërve të vrarë, Fatmirit, Halilit, Shkëlqimit dhe Yllit, zbriti në Bajram Curri nga fshati i saj me një furgon pasagjerësh të rastit. E gjatë mbi një metër e 90 centimetra, ajo sipas akuzës e kishte të lehtë të fshihte poshtë palltos së saj një kallashnikov që e kishte hedhur në sup.

Mësuesja zbriti nga furgoni në qendër të qytetit, para monumentit të Bajram Currit dhe ngjiti shkallët në krah të tij që të nxirrnin në trotuarin mbi shëtitoren kryesore. Lokali ku qëndronin të ulur dhjetë burra, të gjithë me armë në brez, qoftë me leje apo pa leje, ishte rreth 100 metra larg saj.

Shota e Haklajve eci ngadalë për të mos tërhequr vëmendjen e klientëve të shpërndarë te lokali “Ervin”, vetëm 50 metra nga hyrja e komisariatit të Bajram Currit. Në dosje thuhet se, sipas dëshmitarëve okularë, Lumneshit nuk i shpëtoi pa i rënë në sy fakti që drejt tij po vinte një femër e gjatë, e cila po afrohej me hap të ngadaltë.

Sipas dosjes hetimore Ajo vetëm zbërtheu pallton dhe nga poshtë saj nxori kallashnikovin, të cilin nuk e hoqi nga supi, por hapi zjarr direkt duke qëlluar një nga një. Të shtënat e para që tronditën shëtitoren kryesore të Bajram Currit në një nga orët më të populluara, i shkaktuan vdekjen e menjëhershme Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit.

Ndërsa Hysni Biba dhe kryetari i Gjykatës së Tropojës të asokohe, Kujtim Dusha, mbetën të plagosur. Ky është versioni që prokuroria dhe gjykata kanë dhënë për këtë krim, por kurrë nuk është provuar në pamje duke u mbështetur tek dëshmitë.

Vetë Zylfije Haklaj as nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka pohuar vrasjen. Prej vitesh ndodhet në Suedi në azil politik, edhe pse policia shqiptare e ka të parën në listën e grave më të kërkuara, e dënuar me 25 vite burg.

Por, nëse historia e Zylfie Haklajt lidhet me një nga periudhat më të përgjakshme të historisë së tranzicionit shqiptar, një tjetër emër në listën e grave të kërkuara na çon në një botë krejt tjetër, atë të trafikut të drogës. Këtu nuk bëhet fjalë për armë dhe hakmarrje, por për laboratorë dhe përpunim të lëndëve narkotike.

Një ndër to edhe Valentina Tufina.

VALENTINA TUFINA, “TEZJA E KOKAINËS” OSE “KIMISTJA”

Valentina Tufina, e njohur si tezja e kokainës ose kimistja, është dënuar me 14 vite burg në Shqipëri për trafik droge, madje edhe në Kosovë me 7 vite burg, të cilin e ka shlyer në burgun e Lipjanit.

Në nëntor të vitit 2014 ajo u arrestua në Fushëkuqe të Lezhës në një laborator droge. Tufina, për shkak të njohurive të saj si kimiste, e përziente dhe garantonte cilësinë e saj. Ajo angazhohej në kombinimin e formulave kimike për të prodhuar pastaj kokainën. Edhe pse është e dënuar me burg, ajo prej vitesh ndodhet në kërkim nga policia shqiptare, ende nuk është arrestuar dhe nuk dihen rrethanat se si fitoi lirinë.

Në një intervistë për mediat në Kosovë, kur ishte në burg atje, ajo ka rrëfyer pse i hyri kësaj rruge. Deklaroi se gjithçka e bëri për hir të fëmijëve.

Por, trafiku i drogës nuk është i vetmi aktivitet kriminal ku gratë kanë luajtur rol. Në disa raste, ato janë përfshirë edhe në rrjete ndërkombëtare, duke tentuar të kalojnë kufijtë me sasi të mëdha lëndësh narkotike. Një tjetër histori është ajo e Mirella Muhametllarit, e cila prej më shumë se dy dekadash rezulton në arrati.

MIRELLA MUHAMETLLARI, 24 VITE NË ARRATI

Mirella Muhametllari, 52 vjeçe nga Skrapari. Është kapur që në vitin 2002 në aeroportin e Rinasit duke trafikuar 10 kg kokainë. Është dënuar me 10 vite burg, por mbetet ende mister se si I shpëtoi arrestimit. Prej vitit 2002 policia nuk ka asnjë gjurmë të saj. Në kohën kur është dënuar, avokati deklaroi se Muhametllari nuk kishte dijeni për drogën. Por hetuesit zbuluan se ajo ishte pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike.

Nga trafiku ndërkombëtar i drogës, lista na çon drejt një tjetër forme kriminaliteti, mashtrimeve financiare. Në këto raste, viktimat nuk janë domosdoshmërisht njerëz të panjohur. Ndonjëherë janë edhe persona që kanë krijuar marrëdhënie besimi me autoren e mashtrimit.

ADRIANA (ÇAKMAK) KALLAPODHI, 11 VITE NË ARRATI

Adriana Kallapodhi, 53 vjeçe nga Tirana dhe është dënuar me 16 vite burg në vitin 2015 për veprën penale të grabitjes dhe për mashtrim, pasi i ka grabitur fqinjës së saj rreth 800 milionë lekë të vjetra. 54-vjeçarja ishte e martuar me një mjek nga Turqia i cili u premtonte pacientëve në Tiranë se do t’i çonte në klinika të specializuara në Turqi për të bërë ndërhyrje të ndryshme. Fqinja i kishte lënë paratë në mirëbesim për t’i ruajtur ndëtsa ccifti u arratis së bashku me paratë. Që prej vitit 2015 policia shqiptare nuk ka asnjë gjurmë të saj.

Por historia e Kallapodhit nuk është e vetmja ku shumat e mëdha të parave dhe besimi i thyer janë në qendër të akuzave. Një tjetër grua e kërkuar nga drejtësia shqiptare akuzohet se ka përdorur një skemë mashtrimi për të përfituar qindra mijëra euro.

ÇETINA (NEZAQET) ZAJMI (BOROVA), 13 VITE NË ARRATI

Tashmë 69 vjeçe, Çetina Zajmi është dënuar me 14 vite burg në vitin 2013 për një skemë mashtrimi, pasi ka mashtruar një ndërtues pallatesh duke i marrë 400 mijë euro dhe më pas është zhdukur. Prej 11 vitesh policia nuk e gjen.

Nëse deri këtu kemi parë histori të lidhura me drogën dhe mashtrimet financiare, një tjetër emër në këtë listë na çon në një dimension shumë më të ndërlikuar dhe shqetësues, atë të lidhjeve me organizatat terroriste. Bëhet fjalë për Donika Çokun, emri i së cilës është përmendur në dosje që lidhen me ISIS-in.

DONIKA ÇOKU, E KËRKUARA PËR LIDHJE ME ISIS

Donika Çoku është një shtetase shqiptare e lindur më 16 maj 1971, e njohur kryesisht në mediat shqiptare dhe italiane për dënimin e saj për vepra penale që lidhen me terrorizmin. Ajo është nëna e Aldo Kobuzit, i cili u martua me shtetasen italiane Maria Giulia Sergio (e njohur në media si “Lady Xhihad”). Pas kësaj martese, ajo u transferua me çiftin në Siri për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS. Gjykata e Milanos e ka dënuar atë në mungesë për veprën penale “Pjesëmarrje në grup terrorist”. Për këtë arsye, ajo u shpall në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Në shtator të vitit 2020, Policia e Shtetit në Shqipëri i dërgoi asaj dhe motrës së saj, Arta Çoku, formularët e OFL-së për vetëdeklarimin e burimit të pasurisë ndërsa mbetet ndër më të kërkuarat nga policia shqiptare.

Nga akuzat që lidhen me terrorizmin, rikthehemi sërish te mashtrimet financiare. Por këtë herë, pretendimet për përfitime të paligjshme nuk lidhen me individë apo biznese private. Në qendër të historisë është një institucion ndërkombëtar, Bashkimi Europian.

MIRELA SPAHIU, GRUAJA QË MASHTROI BE

Mirela Spahiu, nga Tirana, 58 vjeçe, është dënuar me gati 10 vite burg për mashtrim në vitin 2018. Spahiu ka pasur një  Organizate Jo Fitimprurëse në Tiranë, ku merrte fonde nga delegacioni i Bashkimit Europian, përmes një skeme mashtrimi, ku në një rast ka arritur t’i marrë 90 mijë euro, ndërsa bashkëshorti rreth 50 mijë euro. Prej 8 vitesh ndodhet në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Mashtrimet me shuma të mëdha parash janë vetëm një pjesë e kësaj liste. Por disa prej grave të kërkuara lidhen me akuza edhe më të rënda, siç janë vrasjet. Dhe në disa raste, autoritetet duket se kanë shumë pak informacion për personat që duhet të gjejnë. Një prej tyre është Lumije Hoxha.

LUMIJE HOXHA, “FANTAZMA”, VRASËSJA PA FOTO

Lumije Hoxha, nga Peshkopia, 62 vjeçe, është dënuar për vrasje me 25 vite burg dhe madje ka arritur të arratiset nga burgu përmes një leje daljeje nga burgu vite më parë. Policia nuk disponon as foto të saj dhe asnjë të dhënë. Prej shumë vitesh ajo vijon në arrati si një person që për policinë është thjesht një “fantazmë”.

Lumije Hoxha nuk është e vetmja për të cilën mungojnë të dhënat dhe fotografitë. Në arkivat e policisë ka edhe emra të tjerë, të cilët vazhdojnë të figurojnë në listat e personave më të kërkuar, pavarësisht se për ngjarjet për të cilat janë dënuar kanë kaluar shumë vite.

FLORESHA NDINO, E DËNUAR ME 23 VITE BURG

Me vendlindje në Drizë të Fierit, për të rëndon akuza e “rrëmbim personi”. Sot ajo është 60-vjeçe dhe rezulton në çdo njoftim të policisë si një nga gratë më të kërkuara në vend. Edhe në rastin e saj, policia nuk ka mundur që të sigurojë dot foto, pasi bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur shumë vite më parë.

Nga rrëmbimi i personit, kalojmë në një tjetër aktivitet kriminal që shpesh fshihet pas rrjeteve të organizuara dhe marrëdhënieve të shfrytëzimit. Prostitucioni dhe trafikimi i personave janë ndër veprat penale për të cilat drejtësia shqiptare ka shpallur në kërkim edhe gra të tjera.

KLODIANA SHKOZA, “HIJA” E NJE TË KËRKUARE PREJ VITESH

46-vjeçarja nga Tirana është dënuar me 15 vite burg për shfrytëzim prostitucioni. Emri i saj figuron në listat e personave të kërkuar nga Policia e Shtetit, nën juridiksionin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për ekzekutimin e dënimit të dhënë nga gjykata. Për shkak se rasti nuk ka pasur mbulim të gjerë mediatik përtej publikimit të listave të personave në kërkim, detaje më të hollësishme mbi hetimin apo ngjarjen nuk janë bërë publike. As policia nuk ka foto të saj në arkiv.

Por jo të gjitha gratë në listën e të kërkuarve janë shtetase shqiptare. Mes tyre gjendet edhe një shtetase e huaj, e cila sipas dosjeve ka arritur të krijojë lidhje me persona të rëndësishëm dhe të përfitojë shuma të konsiderueshme parash. Historia e saj lidhet edhe me një ish-efektiv të Shërbimit Informativ.

AGNESE SOMMA, ZVICERIANIA QË JOSHI SHISH

Policia shqiptare kërkon prej 11 vitesh zvicerianen Agnese Somma, tashmë 64 vjeçe, e cila në vitin 2015 është dënuar me 8 vjet burgim, për mashtrim. Agnese Foure Maria Somma njihet si e dashura e ish-efektivit të Shërbimit Informativ G.R. Shtetasja zvicerane rezulton të ketë mashtruar edhe ish-drejtorin e SHISH në degën e Durrësit, E.D., si dhe disa biznesmenë të tjerë. Në Shqipëri ajo njihet me emrin Anjeze Fure, dhe pasi ka marrë një pjesë të konsiderueshme të parave të dhëna nga persona të ndryshëm është larguar nga Shqipëria, ndërkohë procesi penal kundër saj ka vijuar në mungesë.

Nga mashtrimet që pretendohet se kanë përfshirë individë dhe zyrtarë, lista na çon te një tjetër histori, kësaj here në botën e biznesit dhe kompanive të shumta. Në qendër është një emër i njohur në çështjet gjyqësore që lidhen me biznesmenin Francesco Becchetti.

LILIANA CONDOMITTI, “BOSJA” 85-VJEÇARE

Mamaja e Francesco Beccheti, Liliana Condomitti, qëndron prapa dhjetëra kompanive që ka hapur i biri gjatë viteve të fundit. 85-vjeçarja figuron në listën e policisë si ndër gratë më të kërkuara, e dënuar me 8 vjet burg për pastrim parash.

Por, përtej çështjeve financiare dhe pastrimit të parave, në këtë listë rikthehen sërish rrjetet e trafikut të lëndëve narkotike. Një tjetër grua, këtë herë nga Patosi, është dënuar për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal që vepronte përtej kufijve të Shqipërisë.

AFËRDITA BRAHIMI, 9 VITE NË ARRATI

Afërdita Brahimi, 59 vjeç nga Patosi, është dënuar në vitin 2017 me 13 vite burg, ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal i cili trafikonte lëndë narkotike kokainë nga Shqipëria drejt Turqisë. Ajo ishte pjesë e rëndësishme e këtij grupi dhe është në arrati prej gati 9 vitesh.

Nëse në rastin e Afërdita Brahimit bëhet fjalë për trafik droge, një tjetër histori lidhet me një nga format më të rënda të shfrytëzimit njerëzor, trafikimin dhe shfrytëzimin seksual të të miturave. Një akuzë që e bën edhe më të rëndë historinë e Teuta Lalajt.

TEUTA LALAJ, TUTORJA E TË MITURAVE

Teuta Lalaj, 66 vjeçe nga Vlora, sipas vendimit të gjykatës ka rezultuar pjesë e një rrjeti prostitucioni në Vlorë. Lalaj strehonte në banesën e saj në Vlorë femra nën moshën 18 vjeç për shfrytëzim prostitucioni për llogari të vëllait të saj. Rezulton e dënuar me 15 vite burg për trafikim të fëmijëve dhe nuk ka asnjë gjurmë se ku ndodhet.

Por, në këtë listë ka edhe një histori që ndryshon nga të gjitha të tjerat. Këtë herë, nuk bëhet fjalë për një person të përfshirë në rrjete kriminale si pjesë e jashtme e tyre, por për një emër që ka pasur një karrierë të gjatë brenda vetë sistemit të drejtësisë. Një histori që ngre pikëpyetje mbi besimin te institucionet dhe mbi rrezikun e ndikimit të krimit në drejtësi.

ERJONA DAUPAJ, SEKSKERJA E KRIMIT

Erjona Daupaj akuzohet nga SPAK për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm dhe nxjerrje të sekretit hetimor. Gjatë karrierës së saj, ajo ka punuar për mbi dy dekada në sistemin e drejtësisë shqiptare, duke arritur deri në postin e oficeres së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe kandidates për gjyqtare.

Dosja e saj u zbardh përmes përgjimeve të aplikacionit të koduar Sky ECC dhe u dërgua për gjykim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) në qershor të vitit 2026. SPAK e akuzon se ka marrë përfitime monetare në bashkëpunim me persona të tjerë për të manipuluar vendime gjyqësore.

Po ashtu, SPAK e akuzon se ka ndërhyrë te magjistratët për të lehtësuar pozitën e të pandehurve në dosjen e njohur si “Toyota Yaris” (ku u sekuestruan 3.4 milionë euro në portin e Durrësit), si dhe në çështje të tjera. Daupaj akuzohet se ka nxjerrë informacione konfidenciale të hetimeve te palët e interesuara jashtë institucioneve të drejtësisë. Emri i saj figuron ndër gratë më të kërkuara nga policia dhe SPAK.

15 gra, 15 histori, një drejtësi që ende i kërkon.

Pas çdo historie fshihet një e vërtetë që jo gjithmonë mund të lexohet mes rreshtave të dosjeve penale. Disa mund të kenë zgjedhur krimin, të tjera mund të jenë detyruar drejt tij nga rrethana që nuk i kontrollonin dot. Por sot, të gjitha i bashkon një fat i përbashkët, mbeten në kërkim. Të kërkuara, edhe pse gra, për policinë janë ende “fantazma” të pakapshme.

Shënim. Lista me 15 gratë më të kërkuara është marrë zyrtarisht në Policinë e Shtetit. Deri në ndjekjen e të gjitha hallkave të gjyqësorit, çdo person prezumohet i pafajshëm.

  (A2 Televizion)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button