“20 vite në shtëpi, por pa pronë. Protesta e banorëve të një pallati në Fier para Kadastrës” (foto e video)

Në Fier, mëngjesin e së martës, tensioni është ndjerë përpara godinës së Kadastrës, ku rreth 60 familje dhe 20 biznese kanë dalë në protestë, duke kërkuar atë që, sipas tyre, u takon me ligj dhe me të drejtë, çertifikatat e pronësisë për banesat dhe ambientet ku jetojnë prej dy dekadash.
Banorët thonë se prej 20 vitesh janë futur në shtëpitë e tyre, kanë paguar çdo detyrim financiar ndaj pronarit dhe kanë bërë të gjitha procedurat ligjore, por ende nuk janë pajisur me dokumentin që provon pronësinë.
Ata theksojnë se në vitin 2018 kanë marrë një vërtetim hipotekor, kanë paguar shumën totale ndaj pronarit, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se ka dorëzuar dosjet për regjistrim në Kadastër. Por prej asaj kohe, asgjë nuk ka lëvizur.



“Kanë kaluar 20 vjet dhe asgjë s’ka ndryshuar. Kemi shkuar me dhjetra herë në hipotekë, çdo herë na thonë ‘prisni edhe pak’. Po sirollatemi për dekada të tëra. Duam t’i shesim, duam të marrim kredi, por s’mundemi sepse nuk kemi çertifikatat e pronësisë. Jemi lodhur me premtime.”
Të indinjuar, banorët tregojnë se edhe informacionet që marrin nga institucionet janë të paqarta dhe shpesh kontradiktore.
Një zyrtar u thotë se duhet të aplikojë pronari i ndërtimit, ndërsa një tjetër u kërkon që të aplikojnë individualisht.
“Askush nuk mban përgjegjësi, çdo derë ku trokasim na kthen mbrapsht,” – shprehen qytetarët.
“Na thonë shkoni tek pronari, pronari thotë dosja është dorëzuar, Kadastre thotë prisni njoftim. Janë 20 vite jetë në pasiguri. Fëmijët tanë janë rritur në këto banesa, por s’e dimë ende nëse janë të tonat me letra apo jo.”
Pasi kanë qëndruar për disa orë përpara institucionit, protestuesit kërkuan të takohen me drejtorin e Kadastrës së Fierit, por ai nuk ndodhej në zyrë.



Nëpërmjet punonjësve të institucionit, u është komunikuar se do të dërgohet një informacion zyrtar mbi situatën, por pa një afat të qartë se kur mund të përfundojë procesi.
Banorët thonë se nëse nuk marrin përgjigje të qartë dhe afate konkrete, protestat do të përshkallëzohen, duke paralajmëruar edhe bllokim rrugësh apo qëndrime të vazhdueshme përpara zyrave të shtetit.
Për ta, kjo nuk është më vetëm një çështje dokumentesh, por një betejë për të drejtën themelore të pronës, për sigurinë e familjeve të tyre dhe për dinjitetin e një jete që, siç thonë, po kalon mes premtimeve të pambajtura.












